Votues nga Liqenasi dhe qytetarë që kanë vdekur figurojnë akoma në listën zgjedhore. Kështu ka informuar në një intervistë për REL, kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Oliver Derkovski, i cili tha se për komisionin, lista është e pastër në atë masë që lejon situata, pasi është një proces i vazhdueshëm.
Ai tha se në listë zgjedhore gjenden të gjithë qytetarët që kanë nënshtetësi dhe që janë mbi 18 vjeç dhe procedurat administrative që udhëhiqen në Ministrinë e Punëve të Brendshme për marrjen e dokumenteve personale nuk janë në kompetencë të KShZ.
“Nëse ka qytetarë të tillë të cilët gjenden në listën zgjedhore duhet që të zbatohet një procedurë e njejtë për marrjen e të drejtës së posedimit të dokumentit, letërnjoftimit dhe atëherë do të hiqen nga lista zgjedhore.
Gjithashtu në listën zgjedhore mund të gjeni qytetar të cilët kanë vdekur prej kohësh, ndërsa akoma figurojnë në listën zgjedhore. Pse është ajo ashtu? Ajo është ashtu pasi qytetari që ka vdekur mund të fshihet vetëm me vërtetim mjekësor, me dokument të paraqitur nga familjarët dhe të afërmit e tij që të mund të fshihet. Ato janë momente që ngarkojnë listën zgjedhore, por nuk janë në shkëmbime drastike që mund të dëmtojnë procesin zgjedhor. Në ndërkohë, ne i pastrojmë edhe ato gjëra”, deklaroi Oliver Derkovski, kryetar i KShZ-së.
Ndërkohë, duke folur për fushatën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ai tha sipas propozim buxhetit që është në procedurë parlamentare, janë paraparë mbi 6.7 milionë euro për zgjedhje.
“Kemi informatë se këtu ka intervenim të amendamentit me rreth 1 milion e gjysmë euro më shumë, që do të thotë se këto zgjedhje do të kushtojnë diku mbi 8 milionë euro. Duhet të theksoj se këtu përfshihen edhe paratë që do të harxhohen edhe mediat. Sepse, në pajtueshmëri me ndryshimet më të reja ligjore të kodit zgjedhor nga viti i kaluar, tani fushatën mediatike që zhvillohet gjatë fushatës zgjedhore e paguan shteti dhe supozohet se pjesa më e madhe e atyre parave do të shkojnë për mediat”, thekson Derkovski.
Ndërkohë, pjesa organizative, përkatësisht zbatimi i zgjedhjeve ajo që është kompetencë themelore e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, do të kushtoj më pak se 3 milionë euro.