Gjykata Penale e Shkupit sot pritet të kontrollojë se a është autentik dhe nga ka dalur procesverbali nga dëshmia e biznesmenit Orce Kamçev për rastin “Reket”, që u publikua në disa media në gjuhën maqedonase.
Këtë paralajmërim e ka bërë të ditur dje kryetari i Gjykatës themelore të Shkupit, Ivan Xholev.
“Gjykata do të bëjë kontrolle të brendshme dhe vetëm do të përcaktojmë nëse në lëndën gjyqësore e kemi pasur ose jo procesverbalin kontestues”, theksoi Xholev, përcjellë Alsat-M. Deri tani shumica e institucioneve kanë heshtur rreth asaj se si doli në shtyp faqja e parë e procesverbalit.
Qëndrimi i fundit zyrtar nga atje është ai nga dje, në të cilin prokurorja Vilma Ruskovska, e konfirmoi besueshmërinë vetëm të faqes së parë, që u publikua në media.
Në faqen e parë dhe të vetme të publikuar, mund të lexohet vetëm përshkrimi i Kamçevit, se si Boki 13 ka kontaktuar me të dhe si i ka ofruar projekte. Një pjesë e portaleve në ndërkohë, publikuan detaje se gjoja Kamçev në dëshminë e tij ka inkriminuar edhe Zaevin, Sheqerinskën, Dimitrovin, edhe pse kjo nuk është në dokumentin e publikuar. Zyrtarët e përmendur në ndërkohë kanë paralajmëruar padi.