Dëshmia rrëqethëse e vëllait të Liridona Ademajt: Fëmijët e kanë brengë, e panë të atin që e mbante për t’u kryer vrasja më lehtë

Më 29 nëntor bëhet një vit nga tragjedia që tronditi gjithë Kosovën, vrasja e Liridona Ademajt, 30 vjeçares nga Gjakova.

Në vrasjen të cilën sipas dosjes së prokurorisë u porosit nga ish-bashkëshorti i saj, Naim Murseliu, u përfshin edhe dy persona tjerë, Kushtrim Kokalla, dhe Granit Plava. Për të vrarë gruan e tij, Naimi raportohet se i kishte premtuar vrasësit, Granit Plava deri në 30 mijë euro.

Leonard Ademaj, vëllai i Liridonës, në një rrëfim prekës për Telegrafin, ka ndarë përvojën e dhimbshme të tij dhe të familjes, duke folur për momentet e fundit të motrës së tij. Ai ka shpjeguar se Liridona u vra në makinë, përpara fëmijëve të saj të mitur, dhe në praninë e bashkëshortit të saj, Naim Murselit.

Marketing

Ai theksoi se ngritja e aktakuzës dhe dënimi maksimal i autorëve të krimit do të ishte një lehtësim për familjen e tij dhe për gjithë shoqërinë.

“Vrasja e Liridona Ademaj ka ndodhur në bashkëkryerje duke u planifikuar, duke u gjetur ekzekutori, duke blerë armën dhe së bashku të tre duke organizuar dhe ekzekutuar vrasjen e gruas së bashkëkryesit Naim Murseli, sipas porosisë së tij në mënyrë shumë dinake. Pra, është bërë tërësisht e qartë se Naimi ka kërkuar nga Kushtrimi që t’i ndihmojë ta vrasë Liridonën duke i dhënë mbështetje në planifikim e organizim të vrasjes duke i gjetur një person që e njeh se mund ta kryej këtë punë. Kushtrimi i kishte gjetur dorasin Granit Plava si personin adekuat”, theksoi ai.

“Sipas planifikimit të tyre i kishin kërkuar Granitit të ekzekutonte planin, i cili në natën kritike, sipas koordinimit, Granit Plava e ekzekuton motrën tonë duke e mbajtur shtrëngueshëm për krahu Naimi, në veturë në prezencë të dy fëmijëve të mitur. Është e paparamendueshme se si është ndjerë motra ime (e tradhtuar dhe e pambrojtur nga personi që duhet ta mbronte) në atë moment kur vetura i është ndalur me dinakëri kinse si rezultat i një hajni, e ku papritur është shtrënguar për krahu nga vetë burri i saj. Krahas mungesës deri në amshim që do të kemi, kjo është gjëja që edhe ne si familje e edhe fëmijët po e vuajnë më shumë”.

Fëmijët e Liridonës janë aktualisht nën kujdesin e autoriteteve sociale në Suedi, dhe, sipas Leonardit, ata janë shumë të shqetësuar për momentet e fundit që kanë kaluar me të ëmën dhe për tradhtinë që kanë pësuar nga babai i tyre.

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me fëmijët dhe falënderojmë autoritetet suedeze për kujdesin që po u ofrojnë. Fëmijët i brengosë më së shumti fakti se ishin në veturë dhe se si babai i tyre e shtrëngoj krahun e nënës e tyre në momentin kritik që vrasja të kryhej sa më lehtë”, u shpreh ai.

Marketing