Dëshmitari në rastin “Monstra”: Ditën e vrasjes asnjërin nga të akuzuarit nuk i kam parë tek Liqeni i Smillkovës

Në seancën e sotme për rastin “Monstra” që ndodhi në vitin 2012 në Liqenin e Smillkovës, me kërkesë të mbrojtjes ka dëshmuar dëshmitari Ramadan Murati.

Marketing

Ai tha se më 12 prill, në ditën kur ka ndodhur vrasja, ka punuar në fushat në Liqenin e Smillkovës, që i ka poseduar i akuzuari Fejzi Aziri. Dëshmitari Murati tha se, as atë ditë e as më parë, Aziri nuk ka qenë në afërsi të liqenit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ndërsa për të akuzuarit tjerë Murati tha se nuk i njeh dhe se nuk i ka parë në rrethinën ku ka punuar.

Ai shtoi se në ditën e vrasjes, deri kur është larguar nga fushat tek liqeni, nuk ka dëgjuar krisma, e as nuk ka vërejtur diçka të pazakonshme. Ai shtoi se nga fushat është larguar kur ka filluar të errësohet, gjegjësisht në orën 20:00.

Pasi avokatët e të akuzuarve përfunduan me marrjen në pyetje të dëshmitarit, prokurorja speciale Fatime Fetai, tha se dëshmitë e sotme të Muratit janë në kontradiktë me atë që është thënë në gjykimin e parë për këtë rast më 27.06.2013.

Sipas Fetait, kontradikta është së pari në orën që e përmend Murati kur është larguar nga fushat, ndërsa më pas edhe në lidhje me të punësuarit që i ka angazhuar të punojnë në fusha.

“Në dëshminë e parë keni thënë se vendin e keni lëshuar në orën 19:00, ndërsa sot thatë në orën 20:00. Gjithashtu sot thatë se për punën në fusha keni angazhuar kushërinjtë tuaj, ndërsa në gjykimin e parë keni thënë se për punën e fushës keni angazhuar punëtorë nga Shutka dhe kosovarë që kanë ardhur si emigrantë”, tha Fetai.

Prokurorja Fetai në fillim të gjykimit kërkoi përshpejtim të procesit gjyqësor për rastin “Monstra”. Ajo kërkon që numri më i madh i dëshmitarëve të propozuar, të dëgjohen brenda një seance.

Fetai nga dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja njohu vetëm dy, të cilët kanë dëshmuar edhe në procedurën e parë, në mesin e të cilëve edhe Ramadan Murati.

Ajo tha se që të propozohen dëshmitarë të rinj, së pari duhet të dëgjohen ata që janë propozuar më herët.

Marketing