Dështon interpelanca ndaj kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi

Me 72 vota kundër dhe 21 për, Kuvendi hodhi poshtë interpelancën për punën e kryeparlamentarit, Afrim Gashi, të dorëzuar nga partia “Levica”, shkruan gazeta Lajm.

Marketing

Në argumentimin për interpelancën thuhet, se kryeparlamentari Afrim Gashi ka punuar në mënyrë joprofesionale, antikushtetuese dhe ka lënduar laicitetin e shtetit, sepse ka lejuar kryerjen e riteve fetare në njërën nga seancat e komisionit.

Kryeministri dhe kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski e ka vlerësuar interpelancën si marrëzi dhe papjekuri politike të partive opozitare maqedonase.

“Kjo është papjekuri, do të thosha marrëzi e koalicionit LSDM, BDI dhe partisë ‘E Majta’ dhe se absolutisht nuk ka bazë për interpelancë ndaj kryeparlamentarit Gashi dhe ne nuk do ta mbështesim një iniciativë të tillë dhe kemi një sërë argumentesh pse nuk duhet ta bëjmë atë”, ka thënë kryeministri Mickoski.

Për koalicionin “VLEN” interpelanca është një eksperiment politik i pakuptimtë dhe tentativë për destabilizim të vendit. “Shprehim mbështetje pa rezervë dhe unanime për kryetarin Afrim Gashi, duke theksuar se kjo interpelancë është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj institucioneve shtetërore dhe integrimit euro-atlantik të vendit. Kjo është një iniciativë e parashtruar nga partia anti-NATO, “LEVICA”, me mbështetje të hapur nga LSDM dhe të fshehur nga BDI, të cilat në fakt po testojnë një koalicion opozitar të zgjeruar në dëm të interesave strategjike”, vlerësojnë nga VLEN.

“Nuk shoh me çfarë i kam shkelur autorizimet, po e bëj punën në mënyrën më të ndershme dhe më të përgjegjshme siç di. Në interperlancë në thelb nuk ka asgjë që janë shkelur parimet e punës së Kuvendit apo janë shkurtuar të drejtat e një deputeti apo grupi të deputetëve, por bëhet fjalë për tema të parëndësishme për disa media që duan pëlqime dhe komente në rrjetet sociale.Jam i bindur se e vërteta do të dalë në shesh”, është shpreh Afrim Gashi kryetar i Kuvendit.

Marketing