Për të dytën ditë me radhë dhe pas gjashtë raundesh votimi ka dështuar zgjedhja e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Republikani Kevin McCarthy vijon të kundërshtohet nga një grup i ligjvënësve të partisë së tij të cilët refuzojnë t’i japin votën për të qenë në krye të Dhomës.
Republikanët kanë fituar një shumicë të ngushtë 222-212, në Dhomën e Përfaqësuesve, pas zgjedhjeve të mesmandatit, ndërsa një vend është momentalisht vakant. McCarthyt i duhet të sigurojë të paktën 218 vota për t’u bërë kryetar.
Gjatë këtyre dy ditëve të votimit ka pasur edhe bisedime mes McCarthyt dhe grupit prej 20 ligjvënës konservatorë në mënyrë që të marrë votën e tyre.
Ndërsa Demokratët u përpoqën të vinin për kryetar liderin e tyre, Hakeem Jeffries, por “rebelët” republikanë u kundërpërgjigjën duke propozuar një kongresmen tjetër me ngjyrë, Byron Donalds.
Presidenti Joe Biden, duke u larguar nga Shtëpia e Bardhë për një ngjarje në Kentaki, e përshkroi bllokimin e Kongresit si “ngjarje me të vërtetë të turpshme”.