28/05/2024
Ballina Lajme Maqedoni Dështon zgjedhja e katër prokurorëve

Dështon zgjedhja e katër prokurorëve

Dështoi zgjedhja e katër prokurorëve në Prokurorinë për Ndjekje të Krimit të Organizuar. Asnjëri nga gjashtë kandidatët e paraqitur, nuk arriti të sigurojë shumicë votash nga Këshilli i Prokurorëve, shkruan Alsat.

Sipas kryetarit të Këshillit, është shumë e nevojshme që në këtë prokurori të ketë ndryshime dhe kandidat të rinj, ndërkaq kandidatët aktual sipas tij kanë qenë relativisht fytyra të vjetra.

Marketing

“Unë disa herë kam thanë që i përkrahë më të rinjtë dhe se aty është e nevojshme të ketë ndryshim të kuadrit dhe vendosjen e forcave të reja që do të udhëhiqnin me këtë prokurori sepse konsideroj që pas dy mandateve është më e vështirë dhe ata prokurorë janë të harxhuar, të harxhuar nga puna ndërsa aty realisht ka shumë punë dhe shumë përgjegjësi”, tha Antonio Jolevski, kryetar i Këshillit të Prokurorëve.

Jolevski shtoi se përkundër faktit që kjo procedurë po zvarritet me muaj, gjatë seancës së ardhshme përsëri do të publikohet shpallje dhe inkurajoi të rinjtë të paraqiten. E për atë se a ndjen përgjegjësi që prokurorët nuk po zgjidhen, tha se të gjithë anëtarët e këshillit kanë votuar sipas bindjeve të tyre.

 

Mes kandidatëve ishin edhe dy prokurore të cilat veçse kanë punuar deri tani në këtë prokurori, por ju ka skaduar mandati. Konkurroi edhe prokurorja e Gostivarit Elizabeta Josifovska e cila ishte pjesë e Prokurorisë Speciale dhe zëvendëse ish shefes të Speciales, Katica Janevës, Zllatko Bikovski, Milica Gavrilova, Arsen Ademi, Maja Konevska dhe Verica Berzhevska Krstevska.

Përderisa kjo procedurë dështoi, Këshilli i Prokurorëve shpalli konkurs edhe për shefin e ri të kësaj prokurorie, për shkak se të parës së kësaj prokurorie, Vilma Ruskovska, i skadon mandati më 14 nëntor. Afati për të kandiduar përfundoi të premten e kaluar dhe ka gjithsej pesë kandidatë.

Se kush do të jetë shef i ri i kësaj prokurorie, do të mësohet më 7 nëntor. Zgjedhja e shefit të krimit të organizuar për herë të parë do të bëhet përmes votimeve të drejtpërdrejta, pra për të do të votojnë të gjithë prokurorët.