Deskoska: Nuk guxojmë t’i amnistojmë dhunuesit

Gjithnjë e më shumë shtohen zërat për përpilimin e një propozim ligji për amnisti të personave të përfshirë në ngjarjet e 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvend. Ligji i ri pritet të del nga trupi parlamentar për pajtim dhe integrim, ndërsa amnistia pritet të përfshijë vetëm një pjesë të personave të përfshirë në incidentin e dhunshëm në Kuvend.

Marketing

Edhe ministrja e drejtësisë Renata Deskoska pranoi se mund të ketë një ligj të tillë edhe pse tha se në ministrinë që ajo drejton ende nuk është bërë asgjë në këtë drejtim. Por edhe nëse miratohet amnistia, Deskoska tha se nuk mund të përfshihen të gjithë personat veçanërisht ato që kanë kryer akte dhune në Kuvend.

“Domethënë ju tani më keni persona të cilët akuzohen për dhunë në Kuvend, ka njerëz që vuajnë dënimin me burg për dhunë ndaj Selës dhe Sheqerinskës. Unë nuk ne dijë cili do të jetë qëndrimi i trupit për pajtim, por edhe deklarata e kryeministrit ishte se duhet të bëhet dallim mes atyre që janë përfshirë në dhunë dhe që nuk janë përfshirë.

Edhe deklarata ime në Ohër ishte shumë precise se për dhunën nuk duhet të ketë amnisti”, deklaroi ministrja Deskoska.
I pari për mundësinë e sjelljes së një ligji për amnisti foli kryeministri Zoran Zaev, ndërsa dje deputetja Emilija Aleksandrova nga grupi i pavarur parlamentar njoftoi se deri kah mesi i muajit dhjetor do të jetë gati propozim ligji për amnisti.

Sipas saj propozimi që duhet të del nga trupi parlamentar për falje dhe integrim është në fazë përgaditore dhe po shqyrtohen mundësitë se sit ë arrihet qëllimi, pa u dëmtuar sistemi i drejtësisë. Ajo nuk foli më shumë për përmbajtjen e fundit të propozim ligjit, por ish bashkëpartiakët e saj menjëherë kundërshtuan edhe këto paralajmërime.

Nga VMRO-DPMNE kanë përsëritur qëndrimin se nuk do të mbështesin asnjë ligj ose zgjidhje tjetër që do të parasheh falje selektive që do të vlejë vetëm për disa persona të caktuar. Opozita maqedonas kërkon zgjidhje të përgjithshme me të cilën do të fallen të gjithë personat e përfshirë në ato ngjarje.

Për këtë qëllim, grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së ka dorëzuar në Kuvend propozim ligj për amnisti të përgjithshme për ngjarjet e 27 prillit, të cilin kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi e ka vendosur në rend dite në seancën e re të thirur për më 26 nëntor. Por këtë ligj të VMRO-së e kanë kundërshtuar, shumica parlamentare dhe partitë shqiptare opozitare.