Deskoska paralajmëron shkurtim të tarifave dhe akteve të përmbaruesve

Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska, do ta shkurtojë tarifën e përmbarimit dhe do ti ulë aktet e përmbaruesve që po ndërmerren kundër qytetarëve. Këto janë ndryshimet kryesore në Ligjin për Përmbarim, të cilat për Alsat M i paralajmëroi Deskoska. Qëllimi është përmirësimi i gjendjes lidhur me të drejtave të qytetarëve. Për momentin, ministrja nuk deshi të zbulojë sa do të reduktohen tarifat e përmbaruesve, njofton Alsat M.

Marketing

“Unë personalisht mendoj se veprime të caktuara nuk duhet të arkëtohen në procedurën e përmbaruesve. Po mendojmë edhe për kufizimin e shumës totale si një shumë në përqindje të borxhit, kështu që këto çështje do t’i vendos në tavolinë para njerëzve që janë ekspertë dhe të gjejmë zgjidhjen më të mirë nga kjo sferë”, deklaroi Renata Deskoska, ministre e Drejtësisë.

Deskoska thotë se shkurtimet e tarifës dhe akteve nuk do ti rrezikojnë përmbarimet dhe se ekzekutimi i vendimeve gjyqësore nuk do të rrezikohet. Nga Oda e përmbaruesve as sot nuk deshën të komentojnë për tarifat. Në bisedë telefonike, ata pranuan se nuk kanë njohuri rreth tarifës së re që po përgatitet në Ministrinë e Drejtësisë. Ata fillimisht do të presin takimin me Deskoskën, dhe vetëm pastaj ata do të japin një qëndrim zyrtar.