Tre persona janë arrestuar nga aksioni i sotëm policor në Shkup. Nga MPB bëjnë të ditur se kanë parashtruar kallëzime penale për 15 persona dhe 3 kompani. 11 persona dyshohen për kryerjen e veprës penale “shoqërim kriminal”, nga të cilët 9 për “mashtrim tatimor”, kurse njëri përveç për këto dy vepra, bashkë me 4 persona tjerë dhe 3 kompani, dyshohen për “pastrim parash”, të cilët dyshohet se e kanë dëmtuar buxhetin e shteti me gati 840.000 euro.
“Mëngjesin e sotëm (19.07.2023), Prokuroria ka kryer kontrolle në 7 lokacione, gjatë të cilave janë arrestuar tre persona dhe do të dërgohen para gjykatësit për procedurë paraprake. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar telefona celularë dhe dokumentacion, ndërsa gjatë kontrollit në dy lokacione janë gjetur dhe sekuestruar gjithsej 35 fishekë, nga të cilët 8 fishekë me kalibër 6.5 mm, 10 fishekë me kalibër 7.65 dhe 17 fishekë me kalibër 9 mm, për çka janë ndaluar edhe dy persona shtesë, për të cilët pas dokumentimit të rasteve do të vijojë raporti përkatës”, thonë nga MPB.
Ndërsa nga Prokuroria njoftojnë se është kërkuar paraburgim për 3 persona, pasi ekzistonrreziku për arratisje dhe asgjësim të fakteve.
“Duke vlerësuar se ekzistojnë rrethana që justifikojnë frikën nga rreziku i arratisjes, se do të fshehin, falsifikojnë ose asgjësojnë gjurmët e krimit dhe se duke ndikuar mbi dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët do të pengojnë hetimin, drejtuar gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykata Themelore Penale – Shkup do të propozojë caktimin e masës së paraburgimit për tre të dyshuarit, ndërsa për pjesën tjetër do të propozojë masa tjera për sigurimin e pranisë gjatë procedurës”, thonë nga Prokurira.