Detaje të reja, si ndodhi aksidenti me 3 të vdekur dhe 4 të plagosur në Rrugën e Arbrit

Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në rrugën e Arbrit. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të urës Qeranecit.

Marketing

Policia bën me dije se në aksident janë përfshirë dy mjete, të cilat janë përplasur kokë më kokë. Dyshohet se mjeti tip Mercedes Benz 240 ku udhëtonin Kujtim dhe Murat Istrefi me dy bashkëshortet Lulzime dhe Firuze Istrefi, ka dalë nga një rrugë dytësore duke dalë nga fshati Gjoricë, dhe në momentin që kanë dalë në rrugën nacionale i kanë prerë rrugën mjetit tip Mercedez me targa Angleze.

Si pasojë e shpejtësisë përplasja ka qenë shumë e fuqishme dhe mjeti ku udhëtonin viktimat është ndarë në 2 pjesë. Nga përplasja e dy mjeteve, kanë humbur jetën 3 persona dhe kanë mbetur të plagosur 4 të tjerë.
Mësohet se dy prej viktimave janë identifikuar si Kujtim dhe Murat Istrefi vëllezër, nga Maqellara ndërsa e shoqja e njërit prej viktimave Lulzime Istrefi ka humbur jetën rrugës për në spital.

Tre nga të plagosurit Mërgim Lazri 25 vjeç, Edison Lazri 20 vjeç dhe Kadrie Markeçi, të cilët ishin në mjetin tip Mercedes me targa Angleze, bashkë me Firuze Istrefi 56 vjeç, e cila është bashkëshortja e një prej viktimave që ishte në mjetin tjetër, janë transportuar për ndihmë mjekësore në spital.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 18:15, në aksin rrugor Fushë Bulqizë-Shupenzë, në vendin e quajtur ‘Ura e Gjoricës’, janë përfshirë në një aksident rrugor 2 automjete dhe për pasojë kanë humbur jetën në vendngjarje shtetasit K.I., dhe M.I. si dhe ka humbur jetën në spital shtetasja L.I.

Gjithashtu janë transportuar për ndihmë mjekësore në spital shtetaset F.I., K.M., dhe shtetasit M.L., E.L., pasagjer në automjete.

Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes po punon zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.