Dhëndri ia sheh sherrin dasmorit pasi gjuajti me kallashnikov duke shkuar te nusja

Një video e publikuar në rrjetet sociale gjatë një dasme në Kurbin mori vëmendje të gjerë për shkak se një nga dasmorët qëllonte me armë zjarri automatik nga dritarja e automjetit ku ndodhej.

Marketing

Duke sfiduar hapur ligjin, i riu zbraz kallashnikovin në mes të rrugës drejt zonave të banuara, duke rrezikuar në këtë mënyrë jetën e qytetarëve.

Pas publikimit të pamjeve të dielën që lamë pas, Policia nisi menjëherë hetimet, duke theksuar se ngjarja ka ndodhur më 15 gusht, në aksin nacional Tiranë-Lezhë.

Pas videos që u shpërnda gjerësisht në rrjet, Policia nisi hetimet duke identifikuar dasmorin që qëllonte me breshëri automatiku. Ai është Klajdi Tafaj, 21 vjeç, banues në fshatin Gjormë të Kurbinit.

POLICIA

“Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale dhe në disa media, ku shfaqej një shtetas duke qëlluar me armë zjarri nga një automjet në ecje, në aksin rrugor Laç – Mamurras, shërbimet e Policisë Kurbin, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, falë veprimeve të shpejta hetimore, kanë bërë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar, shtetasit Klajdi Tafaj, 21 vjeç, banues në fshatin Gjormë, Kurbin”, sqaroi Policia.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se i riu ishte pjesëmarrës në dasmën e kushëririt të tij.

“Nga veprimet hetimore rezultoi së shtetasi Klajdi Tafaj ka qëlluar me armë zjarri nga automjeti, në ceremoninë e dasmës së kushëririt të tij, shtetasit M. T., më datën 15.08.2021 dhe pas disa ditësh e ka postuar videon në rrjetet sociale”, thuhet më tej.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Klajdi Tafaj, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit kallashnikov me krehër me fishekë, me të cilën dyshohet të jetë qëlluar në ajër.

Gjithashtu, është proceduar penalisht shtetasi Meti Tafaj, 30 vjeç, banues në Fushë Gjormë, Kurbin, kushëriri i autorit të dyshuar dhe njëkohësisht personi që po martohej atë ditë.

Ai akuzohet për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke u siguruar reagim të shpejtë e të paanshëm, kundrejt atyre që shkelin ligjin dhe cenojnë jetën e qytetarëve.