Dhjetë zakone të dëmshme, nga të cilat nuk mund të heqim dorë

Njerëzit duket se kanë një oreks për vetë-shkatërrim. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për blerjet e shfrenuara, pirjen e tepërt të alkoolit apo të duhanit, apo hyrjen me vetëdije në marrëdhënie toksike, nevoja jonë e qenësishme për kaos duket se nuk mbaron kurrë.

Marketing

Por çfarë na nxit ta vendosim veten në rreziqe të tilla? Ka shumë shpjegime shkencore se përse njerëzit janë të prirur drejt sjelljeve vetë-shkatërruese. Një përgjigje e mundshme mund të datojë që nga fëmijëria. Studiuesit kanë zbuluar se traumat e hershme dhe kujdesi prindëror jo i duhur, mund t’i nxitë individët të përfshihen në akte vetë-shkatërruese si një mekanizëm përballues.

Problemet e shëndetit mendor, ngjarjet që mund të ndryshojnë jetën apo stresi i pakontrollueshëm, mund të çojnë gjithashtu në sjellje të pamatura. Edhe Sigmund Frojdi besonte se të gjithë njerëzit kanë një dëshirë të pandërgjegjshme për të vdekur.

Sipas tij kjo mund të shfaqet nga jashtë në formën e agresionit, dhunës apo edhe vetë-dëmtimit. Ashtu si shumë nga idetë e tjera të Frojdit, kjo teori është shumë e kritikuar sot nga shkencëtarët. Ja cilat janë 10 sjelljet vetë-shkatërruese, me të cilat shumica prej nesh kanë flirtuar të paktën një herë (nëse mos disa herë) në jetën tonë:

Prirja për të qenë të dhunshëm

Nuk është për t’u habitur pse njerëzit tërhiqen nga dhuna. Qoftë në filma, libra apo në internet, duket se kudo që hedhim sytë, dhuna e dominon jetën tonë. Studimet kanë treguar se dhuna nuk ka të bëjë vetëm me emocionet negative, si zemërimi, që mund ta nxisin atë. Truri ynë i përpunon sjelljet agresive si dhuna, në një mënyrë të ngjashme me mënyrën se si përpunon sjelljet shpërblyese, që do të thotë se është në natyrën e njeriut të zgjedhë zënkat për të kënaqur një dëshirë.

Abuzimi me substancat

Pirja e tepërt e alkoolit, pirja e duhanit, e drogave të ndryshme. Këto mund të jenë disa nga mënyrat më të zakonshme përmes të cilave njerëzit vetë-shkatërrohen. Për më tepër, individët që abuzojnë me substanca, përballen shpesh me një aftësi të reduktuar për të kontrolluar impulset e tyre ndaj alkoolit apo drogës. Kjo mund të çojë në një betejë të vështirë me varësinë, ku nis të dështojë funksioni normal i trurit.

Marrëdhëniet toksike

Ndërprerja e kontaktit me individë toksikë – qoftë ky një mik, anëtar i familjes apo edhe një marrëdhënie romantike – nuk është diçka e lehtë. Shpesh, mohimi i realitetit mund të jetë një pjesë e rëndësishme e arsyes pse dikush mund të qëndrojë në një marrëdhënie jo të shëndetshme. Mohimi vepron si një mekanizëm përballues, dhe për këtë arsye na pengon të kuptojmë se mund të jemi në një mjedis të dëmshëm.

Ngacmimi i të tjerëve

Nuk është një sekret që ngacmimi mund t’i lërë individët me trauma të rënda mendore dhe emocionale. E megjithatë 1 në 5 nxënës dhe studentë raportojnë se ngacmohen çdo vit. Dhe shpesh kjo situatë nuk përmirësohet kur njerëzit rriten. Studiuesit kanë zbuluar se gati 30 për qind e punonjësve janë përballur me bullizmin në vendin e punës nga kolegët apo shefat me sjellje agresive. Por çfarë na shtyn të përqeshim të tjerët? Psikologët kanë sugjeruar se akti i ngacmimit pasqyron probleme serioze tek ata që e kryejnë atë, si pasiguritë e një individi dhe nevoja për kontroll.

Stresimi në nivele të pakontrollueshme

Nuk ka asnjë dyshim se stresi mund të ndikojë negativisht në mirëqenien tuaj fizike dhe mendore. Por edhe nëse e dimë këtë, të gjithë jemi vazhdimisht të stresuar. Të gjithë jemi të stresuar për gjërat e mëdha – karrierën, familjen, financat – ndonjëherë edhe për gjërat e vogla, si vonesa në një takim.

Por aktivizimi i vazhdueshëm i hormoneve të stresit mund të ketë rreziqe serioze shëndetësore, të cilat me kalimin e kohës nisin ta përkeqësojnë cilësinë e jetës tuaj. Studiuesit kanë zbuluar se stresi kronik mund të kontribuojë edhe në shfaqjen e gjërave të tilla si presioni i lartë i gjakut dhe sëmundjet e zemrës.

Kapërcimi i orëve të gjumit

Eshtë e rëndësishme të pranojmë se mos-fjetja mjaftueshëm çdo natë mund të jetë e dëmshme për shëndetin tonë. Në fakt, fjetja më pak se 7 orë gjumë në natë mund të ketë një ndikim të qëndrueshëm në shumë zona të trurit tuaj, duke përfshirë vëmendjen dhe përqendrimin, kohën e reagimit, kujtesën dhe vendimmarrjen. Mënyra më e lehtë për të hequr dorë nga ky zakon i keq, është t`i krijoni vetes hapësirë për pushim, dhe të praktikoni një higjienë të mirë të gjumit.

Gënjeshtrat e vazhdueshme

Arsyeja pse njerëzit gënjejnë kaq shumë, mbetet ende një mister për psikologët. A e dini se duhet rreth 30 për qind më shumë kohë për të gënjyer sesa për të thënë të vërtetën? Me kalimin e viteve, studiuesit kanë teorizuar se pandershmëria është një pjesë e asaj që na bën njerëz. Kjo ndodh shpeshherë për shkak të interesave egoiste si promovimi në detyrë, mbrojtja e vetvetes, apo edhe mbulimi i gabimeve tona.

Dëshira për të tradhtuar

Hulumtimet e ndryshme kanë treguar se njerëzit tërhiqen nga aktivitetet që i bëjnë të ndiejnë kënaqësi. Ndërsa çdo situatë është unike, tradhtia mund të jetë kryesisht rezultat i dëshirës tonë të lindur njerëzore për të ndjerë kënaqësi, veçanërisht nëse nuk jemi duke e marrë atë në marrëdhëniet tona aktuale. Një studim i vitit 2021 zbuloi 8 arsye kryesore pse tradhtojnë njerëzit, duke përfshirë zemërimin, vetëvlerësimin dhe nevojën për diversitet.

Varësia nga lojërat e fatit

Ndoshta për këtë dukuri, mund të fajësojmë dëshirën tonë të lindur për të kërkuar shpërblime. Nuk është çudi që gati 80 për qind e të rriturve amerikanë kanë luajtur në lojërat e fatit të paktën një herë në jetën e tyre. Studimet kanë zbuluar se dopamina, një neurotransmetues i fokusuar tek kënaqësia, çlirohet më shpesh kur është i pasigurt shpërblimi i një basti të caktuar.

Mania për të bërë thashetheme

Si krijesa të natyrshme sociale, njerëzit dëshirojnë informacione të reja, dhe thashethemet janë shpesh mënyra se si i marrim ato. Ka thashetheme të mira dhe të këqija. Ndërsa thashethemet e mira përfshijnë përhapjen apo shkëmbimin e informacionit në një mënyrë të përgjegjshme, thashethemet e këqija – përhapja e gënjeshtrave dhe ndarja e informacionit të pasaktë për të tjerët, për të ecur përpara në karrierë apo për t’i shkaktuar dikujt dhimbje – bën të kundërtën dhe mund të jetë e dëmshëm për të tjerët, por dhe vetë-shkatërruese.

Megjithatë, nëse e gjeni veten duke u marrë me thashetheme (shpresojmë të padëmshme) me kolegët tuaj, nuk duhet që të ndiheni shumë keq. Shkencëtarët kanë zbuluar se truri është i prirur që të reagojë ndaj thashethemeve.