Gjykimi për organizatorët e ngjarjeve të 27 prillit në Kuvend vazhdoi me prezantimin e provave materiale nga mbrojtja. Avokati, Elenko Milanov, në fillim të seancës kërkoi që ekspertizat e paraqitura në dy seancat e mëparshme, të ndahen nga lista e provave, sepse të tre ekspertët pranuan para gjykatës se ata e as institucioni që e përfaqësojnë nuk ka licencë për të kryer dhe ekspertizë telekomunikimi dhe digjitale. Gjykatësi Tërpkov nuk e pranoi këtë kërkesë, por u dakordua që mbrojtja të marrë në pyetje shefin e forenzikës digjitale në MPB, Marian Stoillkovski.
Prokurorja, Ivana Trajçevska, kërkoi të mos pranohet propozimi i mbrojtjes. Sipas saj provat përcaktojnë punën e rëndësishme që është bërë për këtë rast dhe nuk janë mbledhur në mënyrë të paligjshme. Sipas saj, me kërkesën për të marrë në pyetje përgjegjësit e sektorit që bëri ekspertizën, mbrojtja synon të vonojë procedurën. Të pandehurit në këtë rast, ish-kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanoski, ish-ministrat e Transportit dhe Lidhjeve dhe Arsimit, Mile Janakievski dhe Spiro Ristovski si dhe ish drejtori i DSK-së, Vlladimir Atanasovski, akuzohen për veprën penale “Rrezikim terrorist i rendit kushtetues dhe sigurisë”.