Rasti për dhunën në Qendër në vitin 2013 vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarëve. Ish dhe këshilltarja aktuale e LSDM-së në komunën Qendër, Cvetanka Simonovska, dëshmoi se gjatë tentimeve për të filluar seanca ku diskutohej plani urbanistik i komunës Qendër, këshilltarët e atëhershëm të VMRO-DPMNE-së u jepnin udhëzime përmes telefonit protestuesve të mbledhur jashtë komunës.
Simonovska e kishte të paqartë faktin se përse në seancat për këtë rast në bankën e të akuzuarve janë vetëm tre nga këshilltarët e atëhershëm të partisë në pushtet, sepse, sipas saj, i gjithë grupi i këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së duhet të përgjigjet, pasi të gjithë koordinuan protestën dhe dhunën.
Ajo sqaroi në detaje edhe gjestet e pakëndshme që ndaj saj ka bërë një ndër protestuesit, i cili është zhveshur duke e provokuar me organet gjenitale.
Dëshmitarja tjetër, Biljana Curillova, dëshmoi për lëndimet që i janë shkaktuar asaj personalisht. Ajo ishte goditur me copë qelqi në sy dhe se urgjentisht ishte dërguar në spital me ndihmën e shpejtë. Në sallën e gjykimit Curillova njohu disa prej personave që protestuan dhe tha se do të kërkojë dëmshpërblim për lëndimet që ka marrë.
Simonovska dhe Curillova, bashkë me dy dëshmitarët e tjerë që do të dëshmojnë seancën e ardhshme gjyqësore janë dëshmitarët e propozuar nga PPS.
Në rastin “Dhuna në Qendër” akuzohen 14 persona, në mesin e të cilëve është ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ish-ministri i transportit dhe lidhje, Mile Janakievski, si dhe ish këshilltarja dhe deputetja aktuale e VMRO-së, Daniella Rangellova. Dy prej të akuzuarve më herët e pranuan fajin.