Digjen mijëra makina të votimit në Venezuelë

Këshilli zgjedhor në Venezuelë ka thënë se një zjarr në një depo afër kryeqytetit Karakas, ka shkatërruar shumicën e pajisjeve të votimit, që janë mbajtur aty.

Marketing

Shefja e Këshillit Zgjedhor, Tibisay Lucena, ka thënë se 50,000 makina të votimit dhe 582 kompjuterë kanë pësuar nga flakët.

Ajo nuk ka përmendur nëse incidenti do të ndikojë në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen këtë vit.

Ajo po ashtu ka thënë se u ka kërkuar prokurorëve që të hetojnë shkakun e zjarrit.

“Asgjë nuk mund të përjashtohet. Më 2017 ata që nuk kanë dëshiruar mbajtjen e zgjedhjeve kanë qenë tejet të ashpër kundër makinave të votimit. Ata kanë sulmuar operatorët, kanë djegur makinat, kanë bërë kërcënime me jetë, kanë djegur makinat e votimit, mirëpo zgjedhjet janë mbajtur”.

“Nëse ka grupe që mendojnë se mund të ndalin proceset zgjedhore, ato gabohen pasi nuk kanë llogaritur vendosshmërinë e burrave dhe grave të departamentit zgjedhor”.

Zgjedhjet e fundit në Venezuelë janë përcjellë me supozime për mashtrime.

Zgjedhjet për Asamblenë Kombëtare pritet të mbahen në fund të këtij viti, ndonëse ende nuk është caktuar ndonjë datë.

Lideri i saj, Juan Guaido, është figura kryesore opozitare në këtë shtet, i cili është njohur nga më shumë se 50 shtete si president legjitim i Venezuelës.

Asambleja Kombëtare është institucioni i vetëm i Venezuelës që nuk kontrollohet aktualisht nga Qeveria e presidentit të kontestuar, Nicolas Maduro.