Gjithsej 52 zjarre janë regjistruar në Greqi në 24 orë. Lajmi është dhënë nga shërbimi Zjarrfikës, i cili ka paralajmëruar se kërcënimi i zjarreve mbetet shumë i lartë në shumë rajone.
Ndërkohë një zjarr masiv ka dalë jashtë kontrollit në tre fronte pranë qytetit Amfissa, në komunën Delphi të Greqisë Qendrore.
Të nxitur nga erërat e forta zjarret po përhapen nëpër ullishtet drejt manastirit të Profitis Ilias dhe gjithashtu drejt qytetit bregdetar të Iteas.
Mbrojtja Civile ka kërkuar evakuimin e banorëve në pjesën veriore të Itea, të cilëve iu tha të niseshin drejt Kirrës.
Në terren ndodhen rreth 50 zjarrfikës me 15 makina zjarrfikëse dhe tre ekuipazhe tokësore të ndihmuar nga pesë avionë.
Erërat e forta dhe temperaturat e larta bëjnë që rreziku i zjarrit të mbetet shumë i lartë në Atikë, Greqinë Qendrore, Greqinë Perëndimore, Peloponez dhe ishujt lindorë të Egjeut.