Nga dita e mërkurë, qytetarët gjatë lëvizjeve në korridorin 10 në pikëpagesat rrugore do të mund të paguajnë edhe përmes kartelave të reja elektronike. Gjatë promovimit të kartelave elektronike si mënyrë e re e pagesës u bë edhe hapja e Qendrës për kontroll të pikëpagesave dhe rrugëve, përmes së cilës do të bëhet monitorimi dhe rregullimi i gjithë rrjetit të komunikacionit.
“Në këtë moment kartelat janë distribuuar në të gjitha pikëpagesat përgjatë korridorit 10, në këtë qendër kontrolli dhe në sportelat e ndërmarrjes për rrugë shtetërore. Pas kësaj periudhe vijon distribuimi në institucionet me të cilat do të nënshkruajmë kontrata për shpërndarjen e kartelave dhe më e mirë në të gjithë këtë është se pasi ta blini kartelën nuk keni nevojë të vini sërish për ta mbushur atë, pasi kemi ueb aplikacionin përmes të cilit do të mund nga kartela juaj ta mbushni”,- deklaroi drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Zoran Kitanov.
Kryeministri, Zoran Zaev, theksoi se mënyra e cila do të nis të aplikohet në vendin tonë tashmë për disa vite funksionon në vendet europiane, ndërsa më e rëndësishme sipas Zaevit është se pagesa do të bëhet më shpejt dhe më lirë.
“Sistemi elektronik për pagesë rrugore në korridorin 10 në të cilin është vendosur sistem i teknologjisë së lartë, dukshëm do të ulë mundësinë për manipulim.
Duke pasur parasysh se pagesa do të bëhet pa e ndalur makinën, pra do të duhet vetëm të ulet shpejtësia e lëvizjes, pagesa do të kryhet në mënyrë automatike dhe kjo do të sjellë rritjen e komoditetit të qytetarëve tanë. Shfrytëzuesit e kartelave elektronike në mënyrë shtesë do të përfitojnë zbritje për çdo mbushje të kartelës. Gjithashtu nga kjo qendër, përmes video mbikëqyrjeve, do të ndiqen të gjitha pikëpagesat si dhe rrugët në të gjithë shtetin”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
Në Qendrën për kontroll në Petrovec, përmes kamerave të vendosura përgjatë autostradës, do të monitorohet procesi i pagesës në pikat pagesore, ndërsa gjithashtu do të mbikëqyret për 24 orë rrjedha e komunikacionit, bllokadat dhe fatkeqësitë eventuale që mund të ndodhin nëpër autostradë.
Qendra në fjalë është pjesë e projektit për modernizimin e rrugëve dhe është investim prej rreth 18,6 milionë euro.