Dilema e 1 Majit, në protestë apo në piknik!?

Qendra rekreative “Saraj” edhe këtë vit ishte destinacioni më i preferuar për shumicën e qytetarëve, të cilët zgjodhën që ditën ndërkombëtare të punës ta festojnë me të afërmit e tyre. Ekipi ynë ka vizituar këtë qendër, ku në mesin e tyre janë vërejtur edhe një numër shumë i madh i turistëve, të cilët kanë zgjedhur këtë qendër për ta festuar 1 Majin. Për disa të anketuar kjo ditë duhet të festohet se ka mbetur si shprehi nga e kaluara, e për disa të tjerë, është një ditë në të cilën duhet të pushohet.

Marketing

“Jo, nuk kemi dalë të festojmë, kemi dalë vetëm për qejf, për shkak se nuk jemi duke punuar, pushim sot e kemi, edhe prandaj kemi dalë, se ne nuk festojmë.”, – tha një qytetar.

“Kemi dalë t’i largojmë nervozat, para nuk ka, i vodhën të gjitha, edhe për popull nuk po mendojnë fare.”, – tha një qytetar tjetër.

“1 Majin po festojmë, sot është dita e punëtorëve dhe kemi dalë me familje komplet.”, – u shpreh një qytetar.

“Na ka mbetur traditë ne shqiptarëve, sepse çdoherë e kemi festuar 1 Majin, pra thjeshtë është qejf të mblidhemi, është Dita e Punëtorit, bëjmë muhabet, qajmë ndonjë dert.”, – u shpreh një qytetar tjetër.

Shumica e qytetarëve i kanë vlerësuar të drejtat e punëtorit në shkallë shumë të ulët dhe kanë bërë thirrje autoriteteve të ndryshojnë, duke filluar që nga siguria në vendet e punës, ashtu edhe tek paga.

“Nuk vlerësohet aq sa duhet punëtori këtu, edhe pagat, por edhe siguria janë të ulëta, por më e ulët është siguria sesa pagat, duhet Qeveria të ngrihet dhe të shihet se çka po punohet.”, – theksoi një qytetar.

“Pagat e ulëta, më herët ka qenë më mirë, pagat kanë qenë më të mirë dhe duhet të ndryshojë jeta, edhe pagat më të larta, sepse njeriu kur ka kushte çdo ditë mund të dalë të shëtisë, jo vetëm për 1 Maj.”, – theksoi një qytetar tjetër.

“Në bazë të çmimeve, pagat janë zero, duhet të ndërmerret diçka se populli është në krizë.”, – tha një qytetar.

“Edhe siguria edhe shëndetësia edhe të gjitha. Pagat janë shumë të ulëta. Unë jetoj jashtë RMV-së, por sa po e shoh, këtu pagat janë të ulëta për një jetë këtu.”, – tha një qytetar tjetër.

Popullata janë shprehur që së paku në këtë ditë do të mundohet që t’i harrojnë brengat e jetës të cilat i kanë dhe që nga dita e nesërme do t’i kthehen realitetit dhe punëve të përgjithshme. Kishte edhe prej tyre të cilët pohuan jashtë objektivit të kamerës se ndoshta do të ishte më mirë edhe të dielën në protesta.

Marketing