Nga dita e sotme, Propozimi për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit për vitin 2024 është në rend dite të Komisionit parlamentar të Financimit dhe Buxhetit. Ndryshimet e propozuara para deputetëve i arsyetoi ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, e cila theksoi se me këtë ribalanc sigurohen mjete për të gjitha detyrimet që sipas ligjeve duhet të servisohen nga Buxheti.
“Propozimi i ribalancit ishte sfida e parë që punova së bashku me ekipin tim dhe mendoj se po propozojmë zgjidhjen më optimale, duke pasur parasysh burimet që kemi, hapësirën e vogël të manovrimit dhe sigurisht gjendjen makroekonomike. Dhe e gjithë kjo ësshtë me qëllim të krijimit të bazës solide nga e cila do të fillohet në hartimin e Buxhetit për vitin 2025, i cili duhet t’i pasqyrojë politikat që do ta çojnë vendin përpara”, theksoi ministrja e Financave.
Ajo shtoi se me ribalancin janë paraparë mjete për gjithçka që është paraparë me ligj dhe nuk ka mjete të planifikuara, respektivisht mjete për të punësuarit, pensionistët, studentët, kompanitë, si dhe për pagesën e detyrimeve në bazë të interest, huave etj..
“Si Qeveri e përgjegjshme që respekton ligjin, nuk do të devijojmë nga ajo që është detyrim, ndërsa me ribalancin sigurohen mjete për servisimin e të gjitha detyrimeve. Kjo qasje e përgjegjshme që zbatojmë rezulton ndaj buxhetit me ndryshime në anën e të hyrave dhe shpenzimeve, si dhe në deficitin buxhetor. Jemi munduar dhe kemi bërë kursime maksimale nga gjithçka që nuk ka pasur dinamikë të realizimit, ndërsa sa i përket mjeteve që kanë mbetur të pashfrytëzuara, si shpenzime jothelbësore patëm sukses, të udhëhequr nga përpjekjet për konsolidim fiskal, me ç’rast duhet të gjejmë kursime rreth 20 miliardë denarë dhe t’i shfytëzojmë aty ku na duhen”, theksoi Dimitrieska-Koçoska.
Sipas ministres, ndryshimet dhe plotësimet në Buxhetin e vitit 2024 bazohen në supozime realiste makroekonomike, ndërsa politika fiskale determinohet drejt stabilitetit makroekonomik dhe mbështetjes së aktivitetit ekonomik nëpërmjet konsolidimit gradual fiskal, përmirësimit të menaxhimit të financave publike dhe nivelit të qëndrueshëm të shpenzimeve kapitale.
Me këto ndryshime dhe plotësime, të hyrat e përgjithshme janë planifikuar në 318.2 miliardë denarë, ose rritje prej 2.6%, përkatësisht rreth 8 miliardë denarë më shumë se projeksionet fillestare me planin për vitin 2024.
Shpenzimet e përgjithshme janë planifikuar të jenë 362.8 miliardë denarë ose më të larta për 5.6%, përkatësisht për rreth 19.2 miliardë denarë më shumë se projeksionet fillestare të planit për vitin 2024. Në bazë të projeksioneve të rishikuara të të hyrave dhe shpenzimeve, deficiti është planifikuar në nivel prej 44.7 miliardë denarëve, përkatësisht nga planifikimet fillesare prej 3.4% në 4.9% të PBB-së.
Ministrja theksoi se rritja e deficitit dhe devijimi i njëkohshëm nga rregulli fiskal është për shkak të nevojsës së sigurimit të mjeteve financiare të nevojshme për funksionimin e pandërprerë të institucioneve, si dhe servisimin e detyrimeve. Përkatësisht, me kërë ribalanc sigurohen 4.1 miliardë denarë shtesë për pagesën e pagave, 5.1 miliardë denarë për pagesën e pensioneve nga të cilat 2.5 miliardë denarë janë për rritjen e paralajmëruar në vlerë prej 2.500 denarëve, duke mundësuar në këtë mënyrë jetë më të mirë dhe më cilësore për qytetarët e moshës madhore. Mjete shtesë në vlerë prej katërqind milionë denarëve sigurohen për shpenzimet e tranzicionit në shtyllën e dytë pensionale, 0.8 miliardë denarë për pagesën e ndihmës së garantuar minimale, 1.7 miliardë denarë për mbrojtjen shëndetësore, 1 miliard denarë mjete shtesë për zonat e ZZHTI-së, 1.7 miliardë denarë për subvencionet në bujqësi, 437 milionë denarë për shujtën e studentëve, 207 miliardë denarë për pagesën e bursave, 300 milionë denarë për bllok dotacionet, mjete shtesë për financimin e veprimtarisë radiodifuzive, për financimin e aktiviteteve zgjedhore, si dhe për pagesat përmbaruese dhe për kthimin e mjeteve ndaj Komisionit Europian sipas konstatimeve të OLAF-it. Me ribalancin në fjalë, sigurohen mjete shtesë në vlerë prej 0.8 mliardë denarëve për pagesën e interesit ndaj kreditorëve vendorë dhe ndërkombëtarë, 5.1 miliardë denarë për garancitë e aktivizuara në bazë të huamarrjeve të NP-ve dhe SHA-ve në pronësi të shtetit, si dhe 6 miliardë denarë për projektet e komunave.
Zhvillimi në ribalanc do të financohet me 45 miliardë denarë të planifikuara për shpenzime kapitale, me ç’rast është realizuar rishikimi i projekteve kapitale me dinamikë më të ngadalësuar, veçanërisht në rastin e projekteve kapitale që realizohen në llogari të veçanta.
Ministrja theksoi se niveli i planifikuar i konsumit buxhetor mundëson funksionimin normal dhe pa ndërprerje të institucioneve, realizimin e detyrimeve ndaj kreditorëve ndërkombëtarë, si dhe përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve dhe komunitetit të biznesit.
Me këtë ribalanc, i kushtëzuar nga mjedisi më pak i favorshëm ndërkombëtar, realizimi më i dobët në vitin 2023 dhe zhvillimet ekonomike në vitin 2024, është kryer rivizion në rënie të pritshmërive për rritjen e ekonomisë vendase këtë vit, të projektuara në 2.1%, kundrejt rritjes paraprakisht të planifikuar prej 3.4%. Ndërsa norma e inflacionit për vitin 2024 është projektuar në 3.5%, që paraqet ngadalësim të theksuar të dinamikës së çmimeve në krahasim me vitin 2023.
Në kuadër të Komisionit të mësipërm, debati i përgjithshëm për Propozimin e ribalancit mund të zgjasë deri në 10 ditë. Me propozimin e dorëzuar janë parashtruar 58 amendamente.