Dimitrieska-Koçoska: Ribalanci do të sigurojë të gjitha pagesat e detyrimeve deri në fund të vitit

Ribalanci plotësues i Buxhetit për vitin 2024, i cili nga sot është në rend dite të seancës plenare në Kuvend, do të thotë sigurim të likuiditetit për servisimin e të gjitha detyrimeve deri në fund të vitit. Siç theksoi ministrja e Financave në ekspozenë për propozimin në fjalë, mjetet për rritjen e pensioneve për pensionistët, për pagesën e të drejtave të fituara të të punësuarve, për rritjen e pagave, për shlyerjen e detyrimeve ndaj ekonomisë, njëkohësisht duke siguruar funksionimin normal të institucioneve.

Marketing

“Ribalanci i Buxhetit për vitin 2024 paraqet përpjekjen e Qeverisë së re për të siguruar likuiditet për servisimin e rregullt të të gjitha detyrimeve deri në fund të vitit. Me sigurimin e njëkohshëm për funksionimin normal të institucioneve dhe realizimin e projekteve që kanë dinamikën e duhur. Me ribalancin e propozuar korrigjojmë mangësitë e bëra me buxhetin fillestar, siç janë mjetet e pamjaftueshme të planifikuara për të drejtat e parapara me ligj, mjetet për servisimin e detyrimeve të maturuara dhe mjetet për përkrahjen e ekonomisë. Kjo nënkupton sigurimin e pagesës së rregullt të pagave, e cila do të harmonizohet sipas ligjit në muajin shtator, sigurimin e pagesës së rregullt të pensioneve dhe arritjen e premtimit tonë zgjedhor për rritjen lineare të pensioneve në muajin shtator, shlyerjen e detyrimeve maturuara për mosprolongimin e tyre, sepse ekonomia e kërkon këtë, me ç’rast përveç kredisë së favorshme të paralajmëruar për realizimin e investimeve do të injektohen edhe 6 miliardë denarë shtesë nëpërmjet angazhimit të tyre në realizimin e projekteve në nivel lokal. Ky është një ndër faktorët me të cilin dëshirojmë ta përkrahim ekonominë, që siç tregojnë të dhënat, ka shënuar rezultate të dobëta në gjysmën e parë të vitit”, theksoi ministrja e Financave.

Ajo shtoi se politika fiskale deri në fund të vitit do të destinohet në kthimin e stabilitetit makroekonomik dhe përkrahjen e aktivitetit ekonomik nëpërmjet konsolidimit gradual fiskal, përmirësimit të menaxhimit të financave publike dhe nivelit të qëndrueshëm të shpenzimeve kapitale.

“Qëllimi i këtij ribalanci është në njëfarë mënyrë të tregojmë se në cilën mënyrë dhe linjë do ta zhvillojmë politikën fiskale në periudhën e ardhshme. Të krijojmë buxhete në vitet e ardhshme ku do të përfshihen prioritetet me vlerë të shtuar, prioritetet që do të japin efekt më të mirë për paratë e shpenzuara të qytetarëve. Gjithashtu, duhet ta kemi parasysh edhe nevojën për konsolidim fiskal, ulje graduale të deficitit buxchetor dhe borxhit publik”, theksoi ministrja Dimitrieska-Koçoska.

Të ardhurat e përgjithshme planifikohen në nivel prej 318.2 miliardë denarëve ose 2.6% më shumë, përkatësisht për rreth 8 miliardë denarë më shumë sesa projeksionet fillestare në planin për vitin 2024. Shpenzimet e përgjithshme planifikohen në nivel prej 362.8 miliardë denarëve ose për 5.6% më shumë, përkatësisht për rreth 19.2 miliardë denarë më shumë sesa projeksionet fillestare në planin për vitin 2024. Në bazë të projeksioneve të rishikuara të të ardhurave dhe shpenzimeve, deficiti planifikohet në nivel prej 44.7 miliardë denarëve, përkatësisht nga projeksioni fillestar prej 3.4% në 4.9% të PBB-së.

Me ribalancin janë siguruar 4.2 miliardë denarë shtesë për pagesën e pagave, 5.1 miliardë denarë për pagesën e pensioneve, 800 milionë denarë për pagesën e të drejtës së ndihmës minimale të garantuar, 1.7 milardë denarë shtesë për mbrojtjen shëndetësore, 1 miliard denarë për zonat e ZZHTI-së, 1.7 miliardë denarë për përkrahjen financiare direkte në sektorin e bujqësisë, 437 milionë denarë për shujtat studentore, 207 milionë denarë për pagesën e bursave studentore, 300 milionë denarë për bllok dotacionet, 0.8 miliardë denarë shtesë për pagesën e interesit kundrejt kreditorëve ndërkombëtarë dhe vendorë, 5.1 miliardë denarë për pagesën e garancive, me ç’rast ndërmarrjet duhet të kthejnë në mënyrë sukcesive (të pandërprerë) deri në fund të vitit 2024 edhe pagesën e mjeteve në buxhetin e shtetit.

Gjithashtu, me ribalancin janë siguruar 6 miliardë denarë për projekte infrastrukturore lokale, si dhe shpenzime kapitale në vlerë prej 44.7 miliardë denarëve, të cilat janë të destinuara për investime në rikonstruimin dhe modernizimin e institucioneve publike shëndetësore, investime kapitale në fushën e arsimit, mbrojtjes së fëmijëve dhe atë sociale, në fushën e infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe komunale, plotësimin e marrëveshjeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe për zhvillimin rural

Me ribalancin e buxhetit, rritja ekonomike është rishikuar në 2.1% nga 3.4% e projektuar paraprakisht, ndërsa norma e inflacionit është projektuar në 3.5%.

Ndryshe, debati mbi ribalancin e plotësuar të Buxhetit për vitin 2024 në seancë plenare do të zgjasë më së shumti tri ditë.

Marketing