Dimitrov: Diplomacitë duhet të ndërtojnë ura

Në 50-vjetorin e diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, vendi ka realizuar sukseset më të mëdha diplomatike, përfshirë këtu integrimet euroatlantike si dhe marrëveshjet fqinjësore. Kështu është shprehur numri një i diplomacisë së vendit, Nikolla Dimitrov, gjatë konferencës së mbajtur me rastin e këtij jubileu. Dimitrov tha se çdo vend e thekson në diplomaci identitetin, vlerën kulturore dhe traditën historike, duke shtuar që roli i diplomacisë është që të ndërtoj ura.

Marketing

“Qëllimi ynë përfundimtar është që përmes procesit të anëtarësimit evropian, të krijojmë parakushtet për një shoqëri demokratike të matur dhe të përgjegjshme, sipas modelit të demokracive të dëshmuara evropiane. Besoj në ambiciet tona evropiane dhe nevojën për një përparim të shpejtë evropian. Është e nevojshme të krijojmë një kontekst nga i cili në fund të gjithë do të dalim si fitues, edhe ne si shtet, edhe rajoni dhe Bashkimi Evropian”, deklaroi Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm.

Ndërkohë, ambasadori i Sllovenisë në Shkup, Milan Jazbec, i cili ishte pjesëmarrës në këtë konferencë, foli për ngjashmërinë e diplomacisë sllovene dhe maqedonase, duke rikujtuar se dy vendet kanë edhe histori të përbashkët si pjesë e ish-Jugosllavisë. Ai vlerësoi se, 50 vitet e para janë më të vështirat në ndërtimin e një diplomacie.

“Ju sot shënoni 50 vite diplomaci. Ajo do të thotë se ia keni dalë. Maqedonia dhe Sllovenia janë shumë të ngjashme dhe në diplomaci kanë filluar me kapacitet joformal. Diplomacia është e njejtë me identitetin nacional të një vendi. Shpresoj që Maqedonia e Veriut të përfundon së shpejti pjesën formale dhe të bëhet pjesë e procesit të integrimit evropian dhe të filloj të funksionoj si të jetë pjesë e saj”, deklaroi Milan Jazbec, Ambasador i Sllovenisë.

Kryetari i Klubit Diplomatik, Viktor Gaber theksoi se ky jubilar paraqet një datë simbolike dhe shumë të rëndësishme për raportet ndërkombëtare. Ai e ka quajtur këtë raport institucional drejt problemeve në mbrojtje të interesave të shtetit dhe subjekteve të tij.