Dimitrov komenton raportet me Shqipërinë për datën

Austria mbështet hapjen e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Qëndrimin e shtetit austriak e ka përcjellur sot në Shkup shefi i diplomacisë austriake, Aleksandër Shalenberg, pas takimit me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Nikolla Dimitrov.

Marketing

Ai tha se vendi i tij do të angazhohet fuqishëm që të dy vendet të marrin datë për negociata, por ka thënë se është reale edhe skenari që Shqipëria të mos merr datë. I pyetur se sa është e mundur që Këshilli Evropian javën e ardhshme t’i ndajë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë sa i përket datës së negociatave, ai tha se nuk dëshiron të gjykoj për diskutimet që do të zhvillohen deri atëherë.

“Pozicioni ynë si Austri është i qartë. Besojmë se dy vendet edhe Maqedonia e Veriut edhe Shqipëria duhet të marrin ftesë nga ana e Brukselit dhe të fillojnë negociatat”, deklaroi Aleksandër Shalenberg.

Ndërkohë, Dimitrov ka thënë se skenari më i mirë i mundshëm është që të dy vendet të fillojnë negociatat, por nëse liderët e BE-së vlerësojnë se Shqipëria nuk ka bërë reformat e nevojshme, atëherë vendi nuk duhet të jetë viktimë e asaj.

“Kemi interes shtetëror që Shqipëria fqinje të bëj hap përpara, ne jemi fqinj të mirë, ajo është e mirë për ne, para së gjithash për Tiranën, por edhe për atmosferën e përgjithshme dhe situatën gjeopolitike të Ballkanit. E dyta, procesi i qasjes është proces i cili është i fokusuar në arritjen individuale dhe nëse bëni një grup të shteteve rrëzohet logjika e kushtëzimit të procesit dhe e treta, nuk guxojmë të lejojmë një të jetë viktimë e tjerave, dy është më mirë se një, megjithatë një është më mirë se zero, që është mossukses edhe për vet BE-në dhe mund të rrënojë politikën e zgjerimit”, deklaroi ministri Nikolla Dimitrov.

Sa i përket fillimit të negociatave për anëtarësim, qëndrimi i Francës mbetet akoma i panjohur rreth kësaj, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që presidenti francez, Emanuel Makron, të sjell vet vendimin në samitin e BE-së. Ndërkohë, parlamenti holandez nesër do të diskutoj për qëndrimin e tyre përfundimtar.

Marketing