Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov në kuadër të vizitës së punës në SHBA realizoi takime në Senatin amerikan si edhe me më shumë ekspertë, profesorë dhe hulumtues të sektorit joqeveritar në Uashington.
Siç informojnë prej MPJ-së, në takimet me kryetarin e Komitetit për marrëdhënie të jashtme në Senatin e SHBA-së, senatorin Bob Korker dhe me kryesuesin e Nënkomitetit për bashkëpunim evropian dhe rajonal të sigurisë të Komitetit për marrëdhënie të jashtme në Senat, senatori Ron Xhonson, u riafirmua rëndësia e partneritetit dhe aleancës midis Maqedonisë dhe SHBA-së dhe rëndësia e mbështetjes së mëtejme të SHBA-së në të ardhmen euro-atlantike të Republikës së Maqedonisë.
“Ministri Dimitrov shprehu falënderim për mbështetjen e deritanishme të senatorëve amerikanë dhe e theksoi pritshmërinë për rolin e mëtejmë kyç të SHBA-së, ndërsa veçanërisht të Senatit amerikan, drejt anëtarësimit të pritur të Republikës së Maqedonisë në NATO.
Senatorët e përshëndetën guximin dhe vendosmërinë e Republikës së Maqedonisë në zgjidhjen e kontestit rreth emrit dhe theksuan se Uashingtoni me kënaqësi e priti Marrëveshjen midis Republikës së Maqedonisë dhe Greqisë. Theksuan se Maqedonia është pika më e ndritshme në Ballkan, e cila e ka mbështetjen e plotë dypartiake në rrugën drejt NATO-s në Senat dhe SHBA-ja do të vazhdojë edhe më tej me tempon e njëjtë të punojë në plotësimin e së ardhmes euro-atlantike të shtetit”, kumtoi MPJ.
Në takimet e veçanta me përfaqësuesit e Fondacionit Heritixh, Shkollën për studime të avancuara ndërkombëtare në kuadër të universitetit Xhons Hopkins dhe të Fondit gjerman Marshall të SHBA-së, u bisedua për aktualitetet në procesin e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë në NATO dhe në BE dhe arritjet kyçe në planin e jashtëm politik, me theks të veçantë në Marrëveshjen me Greqinë.
Sonte sipas kohës së Maqedonisë, ministri Dimitrov do të takohet me sekretarin amerikan të shtetit, Majkëll Pompeo.