Në Kuvendin e Maqedonisë, sot pasdite vazhdoi debati për interpelancën për ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov paraqitur nga ana e opozitës maqedonase.
Opozita maqedonase paraqiti një interpelancë për shefin e diplomacisë së Maqedonisë, duke akuzuar se nuk kryen funksionin në mënyrë të ndërgjegjshme, joprofesionalisht dhe në kundërshtim me interesat maqedonase. E akuzojnë për dy marrëveshjet me Bullgarinë dhe Greqinë, ku sipas tyre, po kërcënohen interesat e Maqedonisë. Në fjalimin e tyre, deputetët e opozitës maqedonase kërkuan edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Në replikën ndaj opozitës, Dimitrov theksoi se gjithmonë ka shërbyer në kauzën për Maqedoninë dhe se po bën gjithçka që është mirë për shtetin dhe popullin. Dimitrov porositi deputetët e opozitës maqedonase se partia nuk është populli.
“Ju duhet që secilën ditë ta përsëritni, shteti nuk është partia, Maqedonia nuk është partia. Ne do t’u presim në shekullin e 21-të, do të jemi të durueshëm, do të japim gjithçka nga vetja që edhe nga ju të bëjmë miq. Sa i përket zgjedhjeve, kur të doni, ta shohim nëse populli dëshiron të jetojë në shekullin 21 apo në shekullin e 19-të”, tha Dimitrov.
Sipas rregullores për punë, deri në mesnatë duhet të mbarojë debati dhe të votohet për interpelancën e paraqitur.