Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE as s’mund të sfidohet dhe as s’mund të zëvendësohet me forma të tjera angazhimi të BE, thekson në intervistë me DW, ish-ambasadori i Polonisë në Kroaci dhe Suedi Wieslasw Tarka, koordinator i Samitit të Poznan-it. Ai deklaron se Polonia, si shumica e shteteve anëtare, është e kënaqur që Komisioni Europian rekomandoi hapjen pa kushte të negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Na vjen keq që nuk u mor vendim muajin e kaluar, në qershor, dhe presim që në tetor të merret një vendim pozitiv, pa asnjë vonesë të mëtejshme”, thotë Tarka.
DW: Ambasador Tarka, cilat janë çështjet kryesore që diskutuan ekspertët në forumin “Think Tank” dhe në Forumin e Shoqërisë Civile, nw Samitin e Poznan, lidhur me politikat e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor?
Wieslaw Tarka: Forumi “Think Tank” iu kushtua kryesisht situatës social-ekonomike në Ballkanin Perëndimor dhe të ardhmes së politikës së BE-së ndaj rajonit. Në Forumin e Shoqërisë Civile u diskutuan Axhenda e Gjelbër për rajonin, mënyrat më të mira për të mbështetur bashkëpunimin kulturor, procesin e pajtimit, politikat antikorrupsion, dezinformimin dhe kërcënimet hibride ndaj demokracisë, perspektivat për të rinjtë në rajon dhe zhvillimin e Organizatave të Shoqërisë Civile.
Mesazhi i përbashkët nga dy Forumet është i qartë: duhet të ndryshojë mënyra sesi ka funksionuar deri tani zgjerimi i BE në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që zgjerimi si politikë dhe BE si aktor i politikës në BP të mbeten të besueshme. BE dhe BP janë në udhëkryq: procesi i zgjerimit duhet ose të përshpejtohet deri në arritjen e qëllimit përfundimtar, që vendet e reja anëtare t’i bashkohen BE-së në një të ardhme të parashikueshme, ose politika e zgjerimit dhe BE, si aktor politik në BP do të humbasin qëllimin.
A u dëgjua zëri i shoqërisë civile në samitin e Poznan-it për një politikë zgjerimit të BE në përputhje me realitetin në BP?
Organizatat e shoqërië civile, pjesëmarrëse në samit, përgatitën materiale për politikën e zgjerimit dhe tani po përgatisin konkluzionet nga diskutimet në Forumin e Shoqërisë Civile. Organizimi i të gjitha ngjarjeve vetëm në një vend ishte një avantazh i Samitit të Poznanit, sepse kjo bëri të mundur ndërveprimin mes zyrtarëve, ekspertëve dhe organizatave të shoqërisë civile. Për herë të parë, përfaqësuesit e shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor morën pjesë në sesionin plenar të Ministrave të Jashtëm të BP.
Çfarë sugjeruan ekspertët e Ballkanit Perëndimor për të shtyrë përpara axhendën e konnektivitetit mes vendeve të rajonit, që mbetet një nga shtyllat e Procesit të Berlinit për lidhjen dhe bashkëpunimin rajonal?
Para së gjithash, për ta bërë Komunitetin e Transportit funksional, duhet përqëndrim jo vetëm në infrastrukturën e rëndë, por edhe zbatimin e masave të buta, si psh. harmonizimin e rregulloreve, që mund të shkurtojnë në mënyrë të konsiderueshme kohën e udhëtimeve në rajon.
Rekomandimi i dytë është forcimi i pozitës së Komunitetit të Energjisë që monitoron zbatimin e rregullores së politikës së energjisë së BE në BP. Sipas Komunitetit të Transportit ky institucion është dobësuar kohët e fundit dhe rekomandimet e tij nuk janë zbatuar. Çështja e tretë është rritja e kapaciteteve të administratës në Ballkanin Perëndimor jo vetëm në nivel qendror, por sidomos në nivel lokal. Një nga arsyet pse projektet rajonale kanë mbetur pa u zbatuar është, se Ballkani Perëndimor nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të përgatitur sa më shpejt dokumentacionin e nevojshëm.
Çfarë mendojnë ekspertët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile për sigurinë në rajon dhe kërcënimet kryesore ndaj saj?
Ekspertët dhe shoqëria civile diskutuan çështjet e sigurisë. Nga perspektiva e tyre kërcënimi kryesor për sigurinë dhe stabilitetin në rajon është mungesa e një perspektive të qëndrueshme anëtarësimi në BE, elitat politike të rajonit nuk kanë interes për zbatimin e reformave, që do të forconin institucionet në rajon, sidomos gjyqësorin, prokurorinë dhe policinë, që janë vendimtare në luftën kundër krimit të organizuar, një kërcënim ky kryesor i sigurisë në rajon. Pa një perspektivë të qartë anëtarësimi në BE, elitat qeverisëse po kërkojnë aleatë alternativë si Rusia, e cila dëshiron të destabilizojë rajonin.
Cili është qëndrimi mbizotërues në Samitin e Poznan-it ndaj deklaratës të para disa ditëve të fundit të Presidentit francez, Macron, sipas të cilës Franca do të refuzojë miratimin e zgjerimit të mëtejshëm të BE derisa ai të rikuperojë kredibilitetin e humbur dhe përshpejtojë vendim-marrjen?
Ekspertët në forumin “Think Tank” i kushtuan vëmendje të veҫantë qëndrimit të Francës. Sipas tyre, Franca po mbështet politikën e zgjerimit të BE në BP sipas meritës. Por në fakt, politika që po ndjek BE është krejt e kundërta: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur të gjitha kushtet. Rekomandimi i Komisionit Europian është pozitiv, por Parisi është kundër hapjes së negociatave me këto dy vende. Politika e zgjerimit është politika më efikase kundrejt vendeve fqinje me BE. Ekspertët mendojnë se Franca po minon themelet e kesaj politike dhe nuk po propozon asnjë alternativë. Ky qëndrim do të dobësojë në masë të konsiderueshme ndikimin e BE jo vetëm në BP por në gjithë vendet e tjera fqinjë me BE.
Qëndrimi i Polonisë është që procesi i zgjerimit të BE ka një fuqi pozitive transformuese në BP dhe njëherazi është një investim për paqen dhe stabilitetin në rajon. Është shumë e rëndësishme të sigurohet progresi i përgjithshëm i rajonit. BE duhet të plotësojë zotimet e tij të qarta për integrimin europian të BP. Anëtarësimi në BE i vendeve të BP as nuk mund të sfidohet, as nuk mund të ndryshojë në forma të tjera angazhimesh, siҫ sugjerojnë disa shtete anëtare. BE duhet të përmbushë angazhimet dhe konfirmojë kredibilitetin e tij në të gjithë rajonin dhe përtej.
Është e rëndësishme që BE të përballojë bashkë me BP sfidat e tanishme si p.sh. lëvizjet migratore, terrorizmin, kërcënimet kibernetike, kërcënimet hibride nga Rusia dhe aktorë të tjerë.
Polonia, si shumica e shteteve anëtare, është e kënaqur që Komisioni Europian rekomandoi hapjen pa kushte të negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Na vjen keq që nuk u mor vendim muajin e kaluar, në qershor, dhe presim që në tetor të merret një vendim pozitiv, pa asnjë vonesë të mëtejshme.