Emërimi i paligjshëm i ushtruesit të detyrës drejtor në një shkollë fillore në Veleshtë, nuk është rasti i vetëm në Strugë. Për këtë procedurë, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit tashmë ka ngritur iniciativë në Prokurorinë për ndjekje penale të kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, për shpërdorim të detyrës. Ish-inspektori i arsimit Gjorgji Ilievski paralajmëron se raste të ngjashme ka edhe në vende të tjera, si në shkollën Goce Dellçev në fshatin Podgorc. Pretendohet se atje ushtrues detyre drejtor është emëruar një person që nuk është as i punësuar në shkollë.
“Me shkollë të mesme të kryer teknik i veterinarsë. Por u emërua nga Merko dhe pas kësaj ai merr diplomë nga universiteti privat i Merkos me fakultet të kryer të drejtësisë. I njëjti është edhe këshilltar në Këshillin e Komunës së Strugës”, tha Gjorgji Ilievski, ish-inspektor arsimor.
Në shkollën fillore Vëllezërit Miladinov në Strugë, ushtrues i detyrës drejtor është emëruar një punonjëse në gjimnazin Ibrahim Temo, thotë Ilievski. Sipas tij ngjashëm është edhe në Shkollën Fillore Murat Labunishti ku ushtruesi i detyrës së drejtorit është emëruar një person që nuk ishte i punësuar në atë shkollë. Përveç kësaj, sipas Ligjit për arsimin fillor, një person mund të jetë ushtrues detyre drejtor vetëm për gjashtë muaj dhe duhet të jetë nga radhët e të punësuarve, thotë Ilievski. Për këto shkelje janë njoftuar edhe institucionet në Shkup.
“Është njoftuar edhe Jeton Shaqiri. Dhe në vend që t’i shqyrtojë të gjitha këto dhe t’ia marrë kompetencat Merkos, ai vazhdon…,” tha Gjorgji Ilievski – Inspektor arsimor në pension.
Nga Ministria e Arsimit për Alsat thonë se sipas Ligjit për Arsimin Fillor, kryetari i komunës, me propozim të këshillit të shkollës, emëron drejtorin e shkollës fillore komunale, përkatësisht ushtruesin e detyrës nga radhët e të punësuarve. Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Arsimit, Halit Ferati, thotë se raste të njëjta si në Strugë ka edhe në Shkup, edhe atë gjashtë dhe për gjitha atë që kanë marrë parashtresa janë dërguar në Prokurorinë Themelore Publike dhe Komisionin Kundër Korrupsionit./Alsat/