Disa libra që duhet t’i lexoni

18:42 | 26 Prill 2021

Marketing

Duke u bazuar në faktin që libri duhet të jetë pjesë e pandashme e jetës nganjëherë na nevojiten disa sugjerime për ata libra të cilët ende nuk i kemi lexuar.

Këtu po përfshijmë vetëm disa libra të natyrave të ndryshme, të cilët ia vlen t’i lexoni kurdo që keni kohë të lirë.

“Krushqit janë të ngrirë” – Ismail Kadare

Kjo vepër, dëshmia e parë dhe tepër e rrallë e masakrës serbe në Prishtinë në pranverë të vitit 1981, u shkrua fill pas saj, në vitet 1981-1983. Ndër të tjera libri pati si qëllim njohjen e publikut shqiptar, dhe sidomos atij botëror, me terrorin e ushtruar në Kosovë. Për fat të keq, pavarësisht nga ky synim, vepra u prit fare ftohtë nga Shqipëria zyrtare, gjë që shpjegon botimin e saj tepër të vonë, më 1986, në përmbledhjen e tregimeve “Koha e shkrimeve”. Vepra nuk u botua asnjëherë si libër më vete. Përkthimi i saj më pas, në shumë vende të Europës, hodhi dritë mbi të vërtetën e tragjedisë së Kosovës.

“Siddharta” – Herman Hese

Romani klasik i kërkimit për dijen, që ka mahnitur, frymëzuar dhe influencuar breza të tërë lexuesish, shkrimtarësh dhe mendimtarësh. Edhe pse bën fjalë për një vend dhe kohë shumë të largët nga Gjermania e vitit 1922, atëherë kur u botua libri, ky roman është i mbushur me ndjesitë e periudhës së Hermann Hesse-s, duke kombinuar filozofi të pangjashme me njëra-tjetrën, si fetë lindore, individualizmin perëndimor, në një vizion unik për jetën, të shprehur përmes kërkimit të një njeriu për kuptimin. Eshtë historia e kërkimit të Siddharthës, një indiani brahman të pasur, i cili lë një jetë me privilegje dhe rehati në ndjekje të përmbushjes shpirtërore dhe mençurisë. Gjatë udhëtimit të tij, Siddharta ndeshet me asketë, murgj budistë, tregtarë të suksesshëm, një kurtizane të quajtur Kamala dhe një varkëtar të thjeshtë që ka zbuluar të vërtetën e jetës. Takimi me këta njerëz dhe përjetimi i fazave kryesore të jetës – dashuria, puna, miqësia dhe atësia – e bëjnë Siddhartën të zbulojë se dija e vërtetë drejtohet së brendshmi.

“Kur qau Niçja” – Irvin David Yalom

Në Vjenën e shekullit XIX, një dramë dashurie, fati dhe vullneti do të luhej në mendjen e bërthamës intelektuale, që përcaktoi epokën. Zhozef Brojeri, themelues i psikanalizës, është në kulmin e karrierës së tij. Fridrih Niçe, filozofi i madh europian, është në prag të vetëvrasjes nga dëshpërimi, i pazoti për të gjetur një kurë për dhimbjen e kokës dhe sëmundje të tjera që e mundojnë. Kur Brojeri vendos ta trajtojë Niçen me kurën eksperimentale të të folurit, nuk e bën të ditur se edhe ai vetë gjen ngushëllim në seancat e tyre.

“Zoti e ndihmoftë fëmijën” – Toni Morrison

Një roman tejet i zjarrtë dhe provokues, libri i parë i Toni Morrisonit, me ngjarje të vendosura në kohët tona, edhe pse ka në thelbin e tij ndërthurjen e disa jetëve të ndryshme, përcjell një dhe vetëm një mesazh: mënyra e rritjes dhe vuajtjet në fëmijëri, janë vendimtare në formimin ose deformimin e personalitetit të një të rrituri.

“Ditari i Ana Frankut” – Anne Frank

Ditari i Ana Frankut u bë një ndër librat më të lexuar në botë dhe u përkthye në dhjetëra gjuhë. Shtëpia ku ishte fshehur familja Frank në Amsterdam, sot është e hapur për vizitorët. Aty gjendet edhe ditari që shkroi Ana, i cili ka vlerën e një dokumenti unik njerëzor.

“Joseph Anton” – Salman Rushdie

Më 14 shkurt të vitit 1989, ditën e Shën Valentinit, Salman Rushdie-s i telefonoi një gazetar i BBC-së, i cili i tha se Ajatollah Khomeini e kishte “dënuar me vdekje”. Ishte hera e parë që ai dëgjonte fjalën fatwa. Cili ishte krimi i tij? Shkrimi i romanit me titull “Vargjet satanike”, i cili, sipas akuzës, ishte “kundër islamit, Profetit dhe Kuranit”.

Dhe kështu nisi odiseja e jashtëzakonshme e një shkrimtari që detyrohet të jetojë në ilegalitet duke u zhvendosur nga një bazë në tjetrën, nën praninë e vazhdueshme të një skuadre të armatosur mbrojtëse. Në këtë libër të jashtëzakonshëm me kujtime, Rushdie flet për herë të parë për këtë histori, që është historia e njërës prej betejave më të rëndësishme të kohës ku jetojmë, historia e betejës për lirinë e fjalës. Ai flet për realitetet herë-herë të zymta e herë-herë komike të bashkëjetesës së tij me policë të armatosur dhe për lidhjet e ngushta që krijoi me mbrojtësit e tij, për luftën e tij për të siguruar mbështetjen dhe mirëkuptimin e qeverive, shefave të shërbimeve të fshehta, botuesve, gazetarëve dhe kolegëve shkrimtarë dhe se si e rifitoi lirinë.