Mbi 800 milionë njerëz në botë janë në prag të varfërisë, një në nëntë njerëz në botë po vdes nga uria. Këto janë të dhënat shqetësuese të bëra publike në Ditën Botërore të Ushqimit në një kohë kur statistikat flasin për mbiprodhim, i cili përfundon i hedhur e jo te ata që kanë më shumë nevojë.
Maqedonia në këtë ditë i kushtoi vëmendje të veçantë cilësisë së ushqimit, sidomos në shkolla e kopshtet e fëmijëve.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës është një prej institucioneve e cila ka për detyrë të mbajë llogari për mënyrën e jetesës, për mënyrën e ushqimit të fëmijëve tanë, duke i këshilluar ata që të konsumojnë gjëra kualitative dhe prandaj ne si ministri, në bashkëpunim me UNDP-në, kemi sjellë rregulloren kur jemi tek standardet e ushqimit dhe vakteve të ngrënies, kur jemi tek shkollat fillore”,- tha ministri i arsimit, Arbër Ademi.
“Prodhimi i ushqimit është një subjekt i veçantë i punës së MBPU-së dhe për këtë arsye ne do t’i mbështesim me forcë të gjitha ngjarjet nëpërmjet të cilave rritet ndërgjegjësimi i publikut për tema të tilla të rëndësishme”,- u shpreh ministri i bujqësisë, pylltarisë dhe ekonomisë së ujërave, Ljupço Nikollovski.
Dita Botërore e Ushqimit shënohet çdo vit më 16 tetor, për nder të krijimit të FAO-s në vitin 1945, organizatë kjo që sivjet shënon 73 vjetorin e themelimit.
Ngjarjet e organizuara nga FAO, qeveritë, autoritetet lokale dhe partnerët e tjerë në më shumë se 130 vende të botës, bëjnë thirrje për rritje të aktiviteteve për të arritur botën pa uri deri në vitin 2030.