Festa e Ditës së Flamurit -28 nëntori sot u shënua në fshatin Zajaz të Kërçovës, më saktë në Qendrën memoriale “Nëna shqiptare” e cila është ndërtuar me rastin e 100 vjetorit të luftërave ballkanike në afërsi të ish godinës së komunës në Zajas.
Aktivitetet për Ditën e Flamurit zhvillohen nën patronat të kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe njëkohësisht edhe deputet i këtij rajoni, Ali Ahmetit, i cili sot ishte i pranishëm në këtë kremtim. Në këtë eveniment merrnin pjesë edhe kryetari i komunës së Kërçovës Fatmir Dehari dhe kryetari i Këshillit Aqif Mehdiu, të cilët vendosën lule të freskëta para përmendores të “Nënës shqiptare”.
Pas vendosjes së luleve kryetarti i BDI-së, Ali Ahmeti theksoi se kjo është një ditë e madhe për kombin duke iu përulur dhe përkujtuar të gjithëve që luftuan dhe u sakrifikuan për idele.
Ai gjithashtu theksoi se veçanërisht sivjet kur jemi në vitin e heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeut, kemi një arsye më shumë për të përkujtuar dhe festuar këtë ditë të madhe të kombit.
Para përmendores vendosën lule dhe u përulën edhe delegatë të tjerë të shoqatave të ndryshme nga rajoni i Kërçovës.