Në kuadër të shënimit të 7 Marsit Ditës së Mësuesit, Komuna e Çairit sot ka shpallur afaristin z.Selman Imeri, pronarin e ndërmarrjes “Eftinija Impex” Qytetar nderi për kontributin e jashtëzakonshëm në zhvillimin e arsimit në këtë komunë. Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu tha se deri sa sot po përkujtojmë rrugëtimin e arsimit shqip tek ne, avancimin dhe arritjet e shkollave, po çmojmë e po nderojmë figurën e një njeriu që bëri shumë pikërisht në këtë drejtim.
“Z.Selman Imeri është biznesmen i mirënjohur dhe humanist. Ai është pronar i ndërmarrjes “Eftinija Impex”. Por veprimtaria e Z.Selmanit bashkë me familjen e tij nuk ka ndaluar te biznesi dhe mirëqenia personale, përkundrazi ai ndër vite të tëra ka kontribuar për zhvillimin e Komunës së Çairit, konkretisht në zhvillimin infrastrukturor të shkollave dhe të gjitha çerdheve të komunës sonë. Vepra e tij është bërë edhe më e madhe dhe më mbresëlënëse e që do të mbetet në gjurmët historike të arsimit tonë duke ndërtuar pjesën e re të shkollës fillore “Ismail Qemali” në Komunën e Çairit me sipërfaqe prej 560 metra katrorë, ku tanimë po mësojnë mbi 250 fëmijë”, tha Ganiu. Ai gjithashtu shtoi se në këtë ditë mjaftë të rëndësishme, është më se e merituar që z.Selman Imeri të shpallet qytetar nderi i Komunës së Çairit.
“Me këtë akt edhe vulosim rolin e Z. Selman Imerit si rolin më fisnik që e njeh historia e Komunës së Çairit, sepse ai nuk mendoi vetëm për ardhmërinë e 5 fëmijëve të tij por mendoi për zhvillimin e një shoqërie të tërë. Rreth 2 milionë euro kap vlera e investimeve që ai ka bërë në shkollat e në çerdhet tona. Z. Selmani edhe pse ka bërë kaq investime tek ne megjithatë ka ruajtur modestinë për të folur pak fjalë por për të bërë shumë vepra”, tha Ganiu.
Shpallja e Z. Selman Imerit qytetar nderi është miratuar nga ana e Këshillit Komunal dhe me propozim të Visar Ganiut si kryetar i Komunës së Çairit.
Fjalë rasti kishte edhe ish-kryetari i Komunës së Çairit Izet Mexhiti, aktualisht deputet në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, i cili përkujtoi se Z.Selman Imeri edhe në mandatin e tij ka qenë njeriu që ka kontribuar jashtëzakonisht në zhvillimin e Komunës së Çairit në shumë fusha dhe veçanërisht në atë të arsimit.
Në manifestimin e sotëm me rastin e 7 Marsit-Ditës së Mësuesit, Komuna e Çairit dekoroi edhe pensionistët në fushën e arsimit dhe mësuesit më të dalluar të institucioneve komunale edukativo-arsimore.