Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, në Shkup u mbajt Konferencë shkencore ndërkombëtare të organizuar nga Agjencia e Zbatimit të Gjuhës, ka marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferri i cili u drejtua para të pranishmive.
Ja fjalimi i plotë i tij:
Kam nderin që sot mund të drejtohem në këtë Konferencë shkencore ndërkombëtare që e organizon Agjencia për Zbatimin e Gjuhës, me rastin e Ditës ndërkombëtare të gjuhës amtare, dhe të shpreh kënaqësinë që mundem në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut të përshëndes vrullin dhe energjinë me të cilën Agjencia, udhëheqësia e saj dhe stafi i përgjithshëm i janë qasur detyrës së përgjegjshme dhe besimit që u është dhënë. Prej ditës së themelimit, në mënyrë të palodhshme punojnë dhe japin maksimumin e vet në drejtim të informimit të publikut dhe parapërgatitjes së institucioneve për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, në mënyrë që procesi i respektimit të së drejtës për përdorimin e gjuhëve, si një e drejtë themelore e njeriut, të menaxhohet në mënyrë efektive dhe të përgjegjshme, që përkon me nevojat e qytetarëve. Natyrisht se kjo kontribuon në ngritjen e cilësisë së funksionimit të institucioneve, respektimin e ligjeve dhe kjo prodhon qytetarë të kënaqur, të integruar dhe besnikë ndaj shtetit i cili ka trajtim të njëjtë ndaj secilit individ i cili jeton, kontribuon dhe përmbush obligimet e veta qytetare në mënyrë të barabartë si çdo bashkëqytetar i tij.
Zonja dhe zotëri,
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, si institucioni i parë i cili e hapi rrugën për realizimin e kësaj të drejte themelore, ishte në fakt edhe institucioni pionier në të cilin filloi të bëhet përkthimi i materialeve që vinin në institucion, që përpiloheshin në Kuvend dhe që u shpërndaheshin deputeteve dhe shërbimit në dy gjuhë. Kuvendi po ashtu, ishte institucioni i parë ku bëhej edhe interpretimi konsekutiv dhe simultan i folësve në seancat e trupave punues dhe në seancat plenare, edhe pse në fillim me ca veçori që më vonë u tejkaluan me miratimin e ndryshimeve ligjore. Medoemos e kam të them se fillimet ishin të vështira, duke e pasur parasysh tërë kontekstin politik, numrin e vogël të kuadrove në proporcion me vëllimin e madh të punës dhe pajisjen modeste me fjalorë. Megjithatë, me angazhimin e të gjitha palëve të përfshira në procesin e implementimit të kësaj të drejte, sot, mund të them se kemi shtruar një bazë goxha solide, me kuadro tani më me përvojë shumëvjeçare dhe në fakt, themelimi i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës dhe Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, do të jetë mbështetja më e mirë për punën e mirëfilltë të institucionit tonë, por edhe të gjithë institucioneve tjera në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të cilat i nënshtrohen Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Dhe në këtë ditë që simbolizon gjuhën amtare, në gjuhën time amtare do të them se, liria e shprehjes në gjuhën amtare si një e drejtë themelore e njeriut, e luan rolin thelbësor në realizmin dhe mbrojtjen e të gjithë të drejtave tjera dhe tani, shumë vite pas 2001 –shit kur me amendamentet kushtetuese që paraqesin frymën e rregullimit të marrëdhënieve ndërmjet bashkësive në shtet, u pranuan standardet themelore ndërkombëtare, pas disa tentativave politike dhe juridike, me Ligjin për përdorimin e gjuhës që u miratua më 14 mars të vitit 2018, mund të themi se është krijuar një bazë solide drejt barazisë së gjuhëve dhe është vënë edhe një gur përforcues në demokracinë e re që e zhvillojmë në shtetin tonë.
Zonja dhe zotëri,
Të nderuar të pranishëm,
Ngritja e vetëdijes te publiku për rëndësinë e përdorimit të gjuhës amtare nuk është trend por është nevojë e përditshmërisë reale, dhe jo vetëm këtu në vendin tonë, në fqinjësinë tonë, por në të gjithë botën. Në fakt, edhe tema e Organizatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara – UNESKO-s, këtë vit, me rastin e Ditës ndërkombëtare të gjuhës amtare është “Gjuhë pa kufij”, sepse, promovimi i gjuhës amtare dhe ngritja e vetëdijes për këtë dhe për laramanin kulturore anembanë botës është me rëndësi thelbësore për shoqëritë e qëndrueshme, siç është në fakt edhe shoqëria jonë shumëetnike. Ndërtimi i një shoqërie në të cilën janë afirmuar dhe janë vendosur respekti i ndërsjellë ndërmjet të gjitha bashkësive etnike në vend, me njohjen e njëhershme të dallimeve etnike, kombëtare, fetare dhe kulturore është veçantia dhe esenca e bashkësive të avancuara.
Zonja dhe zotëri,
Jemi aq të pasur sa gjuhë që njohim, sepse citoj “Kufijtë e gjuhës time janë kufijtë e botës sime”, fund i citatit, thotë Lugvig Vitgenstain (Ludëig Ëittgenstein), filozofi austriak. Dhe, me të vërtetë është ashtu, por fillimisht, duhet të njohësh gjuhën tënde amtare e cila të identifikon, të mundëson të shprehesh lirshëm, saktë dhe mirë. I madhi Nelson Mandella ka thënë, citoj:
“Nëse i flet njeriut në gjuhën që e merr vesh, fjalët do shkojnë drejt në kokën e tij. Nëse i flet në gjuhën e tij, fjalët do shkojnë drejtë në zemrën e tij”, fund i citatit, dhe mandej mund të hapim trurin për përvetësimin e gjuhëve të reja. Por, është me rëndësi të hiqen paragjykimet, të gjithë faktorët të punojnë në drejtim të paraqitjes së përparësive të një shoqërie shumetnike, që do të thotë edhe shumë gjuhësore ndër të tjerat, të mësohemi të dëgjojmë njëri tjetrin, të mësojmë të kemi respekt ndaj njëri tjetrit dhe ndaj gjithë asaj tërësie që e bën një individ të veçantë, përkatësia e tij etnike, gjuha që e flet, besimi të cilit i përket, shtresa sociale prej të cilës vjen, gjendja ekonomike, gjinia, profesioni dhe një sërë karakteristikash tjera.
Kjo është mënyra më e mirë për të ndërtuar shoqëri të zhvilluara dhe të avancuara, shoqëri bashkëkohore, evropiane, me vlera dhe standarde të pranuara ndërkombëtare të cilat i respektojnë parimet themelore të Deklaratës universale për të drejtat e njeriut dhe Konventën evropiane për të drejtat e njeriut.
Uroj punë të mbarë të Konferencës shkencore dhe edhe njëherë, urime për Ditën ndërkombëtare të gjuhës amtare!