Djali i Ibrahim Rugovës merr shtetësinë shqiptare 

Ukë Rugova, djali i presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe bashkëshortja e tij, Blerta Rugova kanë marrë shtetësinë shqiptare.

Marketing

Ata kanë finalizuar këtë proces me betimin para kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Gjatë kësaj ceremonie, Veliaj tha se është detyra e të gjithëve të punojnë për të çuar përpara zhvillimin e vendit.

“Ky nuk është thjesht një akt formal i marrjes së pasaportës me shqiponjën dykrenore, por është bashkimi për një mision – me misionin për ta bërë vendin tonë më të përparuar, më të ndriçuar, më të bashkuar, më të ndritur. Amaneti që kemi trashëguar nga të parët tanë, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, që nga rilindasit dhe Ismail Qemali e deri tek Ibrahim Rugova, është ta çojmë më tej progresin e bërë, pavarësisht se kemi qenë një nga kombet më të diskriminuara, më të vuajtura, dhe që kemi kaluar shumë peripeci në labirinthin e historisë. Sot jemi këtu për t’i qëndruar të vërtetë këtij misioni dhe amanetit, që kemi nga të parët tanë”, tha Veliaj.

Ukë Rugova, politikan dhe sipërmarrës i suksesshëm, i bashkohet shumë personaliteteve të njohura nga Kosova, të cilët kanë vendosur të marrin edhe pasaportën shqiptare.

Ndërkaq, betimin për marrjen e shtetësisë shqiptare e bënë edhe Besnik Emini, me profesion stomatolog, dhe Zana Spahiu, me profesion juriste pranë Radio Televizionit të Kosovës.