Djegia e Kuranit, Danimarka do të kërkojë mjete ligjore për ta parandaluar

Ndërsa sulmet ndaj Kuranit vazhdojnë në Danimarkë dhe Suedi, qeveria daneze do të përpiqet të gjejë mjete ligjore që do t’u mundësojnë autoriteteve të parandalojnë djegien e kopjeve të Kuranit, para ambasadave të vendeve të tjera në Danimarkë.

Marketing

Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen, i cili i cilësoi akte fyese që nuk përfaqësojnë vlerat e shoqërisë daneze.

“Djegiet janë akte thellësisht fyese dhe të pamatura të kryera nga pak individë. Këta pak individë nuk përfaqësojnë vlerat mbi të cilat është ndërtuar shoqëria daneze. Prandaj qeveria daneze do të shqyrtojë mundësinë e ndërhyrjes në situata të veçanta, për shembull, ku ofendohen vende, kultura dhe fe të tjera dhe ku kjo mund të ketë pasoja të rëndësishme negative për Danimarkën në lidhje me sigurinë”, tha Rasmussen në një deklaratë të dielën.

Rasmussen argumentoi se masat që do të ndërmerren në këtë drejtim duhet të bëhen brenda kornizës së lirisë së shprehjes të mbrojtur me kushtetutë.

Danimarka dhe Suedia kanë qenë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare javët e fundit pas protestave ku Kurani, libri i shenjtë islamik, është dëmtuar ose djegur.

Në Danimarkë dhe Suedi, Kuranit iu vu zjarri para ambasadave të shumë vendeve, përfshirë edhe ambasadën turke.