Situata e Novak Djokovic në Australi vazhdon të jetë e shumëpërfolur dhe pa një epilog final. Tenisti serb ishte duke kryer sot stërvitjen e radhës në Melbourne, kur papritmas ndërpreu të gjitha.
Koha e stërvitjes ishte parashikuar të jetë dy orë, por u ndërpre pas vetëm gjysmë ore. Trajneri i fitnesit Marco Panichi iu afrua dhe i tregoi një mesazh në celular. Djokovic bëri gati çantën, mblodhi reketat dhe u largua.
Është ende e paqartë se çfarë iu tregua në SMS dhe ku mbeti më pas tenisti serb.
Raportohet se Djokovic pritet të deportohet nga Australia. Më së largu deri nesër ministri i Emigracionit, Alex Hawke pritet të marrë një vendim final për të.
Madje thuhet se Djokovic mund të ndiqet edhe penalisht ngase ka shkelur ligjet e Australisë.
Shorti i hedhur ka caktuar rivalin e parë për Djokovic në Australian Open. Bashkëkombësi i tij, Miomir Kecmanoviç do të jetë kundërshtar në raundin e parë të Australian Open.