Valuta, çajra detoksifikues dhe kokë motori për një maun janë gjërat që ka kapur ekipi mobil i Doganës gjatë ditëve të fundit. Nga Drejtoria e Doganave njoftojnë se në dy raste të ndara, ekipet mobile kanë zbuluar 15 100 euro, të cilat shoferët e dy maunëve kanë dashur t’i nxjerrin jashtë vendit përmes vendkalimit kufitar Tabanoc pa i deklaruar, duke i fshehur në çorape dhe në vende të ndryshme.
Në rastin e parë janë gjetur gjithsej 11 100 euro, nga të cilat 7.000 euro ishin të fshehura në çorapet e shoferit, ndërsa pjesa tjetër e valutave ndodhej në portofolin e tij dhe në një zarf në kabinën e maunit. Në rastin e dytë janë zbuluar 8 mijë euro, të cilat një shofer kamioni i ka fshehur në kabinën e maunit nën mbulesën e marshit automatik.
Në të dyja rastet, drejtuesve të mjeteve, përndryshe shtetas të Maqedonisë, iu janë kthyer nga dy mijë euro, shumë të cilën lirisht mund ta nxjerrin jashtë vendit, ndërsa pjesa tjetër e valutave është e konfiskuar. Ndaj personave do të fillojë procedura kundërvajtëse.
Nga Dogana njoftojnë gjithashtu se në pikën kufitare Bllacë, në hyrje të vendit, në dy raste të ndara janë ndaluar dy shtetas kosovarë që kanë dashur të importojnë në mënyrë të paligjshme 250 çajra detoksifikues, dhe një kokë të re motori për një maun.
Çajrat e detoksit janë zbuluar gjatë kontrollit të furgonit me targa të Kosovës nën sediljet e veturës, ndërsa në një automjet pasagjerësh me targa të Kosovës, në bagazhin e mbuluar me batanije dhe xhaketë është zbuluar koka e motorit të maunit.
Edhe në këto raste, produktet e padeklaruara mbahen përkohësisht , ndërsa ndaj personave do të ngritët padi përkatëse.