Me kënaqësi ju njoftojmë se doli nga shtypi botimi universitar i shumëpritur në gjuhën shqipe, “E drejta trashëgimore”, rezultat i një pune pesëvjeçare të katër profesorëve të nderuar dhe të shquar në lëminë civile: Arta Mero, Kaltrina Zekolli Shaqiri, Dejan Mickoviq dhe Angell Ristov.
Ky libër përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në literaturën juridike, duke ofruar një trajtim sistematik, historik dhe bashkëkohor të institutit të trashëgimisë. Në fokus të tij janë analizat e thelluara të legjislacionit pozitiv të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfshirë propozimet për Kodin Civil, si dhe tradita shqiptare e së drejtës zakonore dhe aspektet e së drejtës së sheriatit.
Në veçanti, botimi sjell një analizë të zhvillimeve më të fundit në fushën e kontratave trashëgimore dhe testamentit elektronik, duke ndjekur një qasje krahasuese me sistemet juridike evropiane dhe ato anglo-saksone.
Libri ofron vlera të mëdha praktike, të shprehura përmes: shembujve real dhe hipotetik, modeleve të akteve juridike, rasteve gjyqësore të komentuara, ushtrimeve analitike për studentët. Kjo e bën atë një mjet të domosdoshëm studimi dhe praktikum për studentët e ciklit deridiplomik, master dhe doktoratë, si dhe një burim referimi për profesionistët dhe studiuesit e fushës.
Një risi e veçantë në këtë botim është përfshirja e përkthimit në gjuhën shqipe të Ligjit për Trashëgiminë të RM-së (1996), përgatitur nga prof. dr. Arta Mero në bashkëpunim me studentët e ciklit të dytë të drejtimit juridiko-civil të UEJL, gjatë vitit akademik 2018/2019.
Libri “E drejta trashëgimore” është tashmë në dispozicion për studentë, studiues dhe profesionistë që synojnë të kuptojnë në thellësi këtë fushë themelore të së drejtës civile dhe të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të saj në kontekstin vendor dhe ndërkombëtar.