Presidenti amerikan Donald Trump nisi zyrtarisht fushatën elektorale duke premtuar realizimin e ëndrrës amerikane. Ai kërkoi votën për një mandat të dytë presidencial duke theksuar se një votë për demokratët do të ishte një votë për shkatërrimin e vendit.
“Ekonominë amerikane e ka zili e gjithë bota, vendi është i zhvilluar. Dhe deri kur do të ndiqni këtë skuadër e ardhmja do të jetë e shkëlqyeshme. Ëndrra amerikane është rikthyer dhe më e fortë se më parë.”
Ka qenë kjo deklarata e presidentit amerikan në hapjen zyrtare të fushatës së tij elektorale për zgjedhjet presidenciale të 2020-s. Ai shtoi se viti 2016 ka qenë një moment i rëndësishëm në histori.
I prezantuar në skenë nga zv/presidenti Mik Pence sipas të cilit Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nevojë për katër vjet të tjera të presidencës Trump; presidenti amerikan është i impenjuar për të çuar përpara politikën e “Amerika në vend të parë” dhe të luftojë kundër emigracionit të paligjshëm. Motoja e fushatës së tij është: “Të ruajmë Amerikën e madhe”.
I pritur nga mijëra mbështetës, Trump falenderoi bashkëpunëtorët e tij para se të niste sulmin. Në objektivin e tij ishte Barack Obama, por dhe Hillary Klinton me 33 mijë email-et e fshira: Nëse unë do të fshija një e-mail dashurie për Melaninë, do të kërkonin karrigen elektrike për mua, shtoi ai.
Trump më pas u përqendrua në çështjen e Russiagate, hetime që e kanë mbajtur në presion për dy vjet, por që në fund ai kishte fituar. Por kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk kurseu kritikat as ndaj mediave dhe lajmeve të rreme.
“Jam këtu para jush për të nisur zyrtarisht fushatën time elektorale për mandatin e dytë presidencial. Po vendosim më në fund Amerikën në vend të parë. Një votë për demokratët është një votë për shkatërrimin e ëndrrës amerikane,” shtoi Trump.
Ai sulmoi demokratët dhe politikat e së majtës radikale sidomos ato për emigracionin. Sipas presidentit amerikan demokratët duan të shkatërrojnë vendin pasi atyre u intereson vetëm pushteti politik.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë premtoi se Amerika nuk do të jetë asnjëherë një vend socialist pasi republikanët besojnë në liri, dhe amerikanët gjithashtu. Sipas tij këto zgjedhje nuk janë një test për progreset fantastike e bëra nga administrate e tij por është një vendim për sjelljen anti-amerikane të atyre që u përpoqën të rrezikonin demokracinë dhe amerikanët.
Më pas presidenti amerikan ia la fjalën zonjës së parë Melania Trump. “Ka qenë një nder të shërbej si Zonjë e Parë dhe jam e lumtur që të mund ta bëj këtë dhe në vazhdim”. Melani u shpreh krenare për atë që kishte arritur të bënte bashkëshorti i saj në kaq pak kohë.