Donte të ndërtonte pa leje në zonën e plazhit në Sarandë, arrestohet 47-vjeçari
Në Sarandë, një 47-vjeçar është arrestuar nga policia pasi dyshohet se po kryente punime për ndërtimin e një objekti pa leje në zonën e plazhit “Shqiponja”, në lagjen nr. 4.
Gjatë kontrolleve në terren, uniformat blu konstatuan se një sipërfaqe toke ishte sheshuar dhe ishte mbuluar me materiale ndërtimi. Sipas hetimeve, hapësira po përgatitej për ndërtimin e një objekti me qëllim përfitimi nga shtetasi Aleksandër Rica, banues në Tiranë.
Në vijim të operacionit, policia sekuestroi edhe 48 shezlongë dhe çadra, të cilat dyshohet se administroheshin pa leje në këtë hapësirë. Për rastin është pezulluar nga detyra edhe Specialisti i Policimit në Zonë, pasi nuk kishte evidentuar paligjshmërinë. Ndaj punonjësit të policisë ka nisur gjithashtu procedimi disiplinor për shkelje të rëndë.
Policia bën me dije se kontrollet në territor do të vijojnë për të parandaluar dhe goditur ndërtimet e paligjshme dhe shkeljet në zonat bregdetare. Materialet procedurale për rastin i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Burimi: botasot.info / Aktuale.mk
