Dorëheqja e Zaevit është humbje për BE-në, shkruajnë mediat evropiane

Disfata e Zoran Zaev në zgjedhjet lokale mund të konsiderohet edhe si disfatë e BE-së dhe politikës së saj për zgjerim drejt Ballkanit Perëndimor, e kjo është një ogur i keq për reformat që i janë të domosdoshme Maqedonisë së Veriut, i përmbledh Dojçe Vele vlerësimet e shtypit në Gjermani dhe Zvicër.

Marketing

“Në maj të vitit 2017, Zoran Zaev u bë kryeministër i Maqedonisë. Në tetor të vitit 2021, ai paralajmëroi dorëheqjen e tij. Maqedonia e Veriut – anëtare e NATO-s që nga marsi i vitit 2020, në masë të madhe i ishte lënë vetvetes në politikën e sigurisë. Kështu do të mund të përshkruheshin katër vjet e gjysmë në atë vend ballkanik, si dhe trashëgimia e Zaevit. Por, këtu mungon një aspekt i rëndësishëm: në mandatin e Zaevit ka ndikuar jo vetëm ajo në çka ka pasur sukses, por para së gjithash ajo që i është mohuar”, shkruan “Frankfurter algemeine zeitung”.

Sipas gazetës gjermane, është e vërtetë se Zaev arriti të riemërtojë Maqedoninë në Maqedoni të Veriut dhe në këtë mënyrë të bindë Greqinë të mos bllokojë anëtarësimin e vendit në NATO, gjë që në planin vendor ishte një manovër e guximshme, thuajse e guximshme.

“Guximi, megjithatë, nuk shpërblehet, ose në rastin më të mirë iu dha një çmim ngushëllues – anëtarësimi në NATO. Por, Zaevi nuk e arriti qëllimin e tij themelor politik – fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Ai nuk është fajtor. Përkundrazi”, vlerëson gazeta.

Rasti i Zaevit, shton “Frankfurter algemajne cajtung”, mund të jetë shembull në rajon dhe ka mundësi që kryeministri në largim i Maqedonisë së Veriut një kohë të gjatë të jetë kryeministri i fundit në rajon që ka qenë i gatshëm të merrte përsipër rrezik të madh politik për shkak të të ashtuquajturave perspektiva evropiane të vendit të tij.

“Prandaj, disfata e Zaevit mund të shihet si disfatë e BE-së dhe politikës së saj të zgjerimit në Ballkan, konstaton autori i tekstit Majkëll Martens.

Ngjarjet në Shkup i sheh në mënyrë të ngjashme edhe gazeta zvicerane “Noje Cirher Zeitung”.

“Zhdukja e perspektivës evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor ka shumë viktima. E fundit është kryeministri i Maqedonisë së Veriut në dorëheqje. Pas disfatës së partisë së tij socialdemokrate në zgjedhjet lokale, Zoran Zaev u shfaq dhe dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe kryetarit të partisë. Si rezultat, ky vend i vogël në Evropën Juglindore po rrëshqet drejt krizës qeveritare, rezultati i së cilës është vështirë të parashikohet”, vlerëson gazeta zvicerane.

Zaevi tha se partia e tij do t’i propozojë kandidat të ri për këtë post kreut të shtetit Stevo Pendarovski, megjithatë, bën të ditur gazeta, është e pasigurt nëse ai do të gëzojë mbështetjen në Parlament.
“Koalicioni i socialdemokratëve dhe dy partive të pakicës shqiptare ka vetëm një shumicë të vogël. Rezultatet e dobëta të zgjedhjeve lokale mund të çojnë në shkarkimin e disa deputetëve. Kryetari i partisë opozitare nacionaliste VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja të dielën mbrëma”, shkruan “Noje Cirher cajtung”.

E përditshmja zvicerane thotë se në Maqedoninë e Veriut sundon “një gjendje e frustrimit të madh për shkak të pengesave gjithnjë të pranishme në integrimin evropian – që fsheh refuzimin thelbësor të zgjerimit nga një numër anëtarësh të BE-së”. Kjo pakënaqësi në rritje “gjithnjë e më shumë ishte orientuar kundër Zaevit, madje shumë nga mbështetësit e tij besojnë se ndryshimi i emrit nuk është shpaguar. E opozita nacionaliste edhe ashtu e ka refuzuar gjithmonë marrëveshjen me Greqinë”.

Por, siç shkruan gazeta zvicerane, “Zaevi nuk arriti t’i përmbushë pritshmëritë politike në vend, sepse fitorja e tij në zgjedhjet e vitit 2017 nuk u konsiderua vetëm si një thyerje e nacionalizmit të Qeverisë paraprake të Nikolla Gruevskit nga VMRO-DPMNE, por edhe si revoltë kundër korrupsionit të përhapur”.

“Dhe me të vërtetë, Qeveria e Zaevit shumë shpejt filloi reformat e para. Gruevski u dënua dhe arriti t’i shmangej dënimit vetëm me një arratisje spektakolare në Hungari. Në përgjithësi, Maqedonia e Veriut ende shquhet si shembull pozitiv në një rajon gjithnjë e më autokratik. Megjithatë, shumë shpejt u ngritën dyshime nëse qeveria e re mund të zgjidhte vërtet problemet e gjera në raport me sundimit të së drejtës. Madje edhe kryetarja e Prokurorisë Speciale, e mbështetur nga Zaevi, u bë objekt i skandalit korruptiv në vitin 2019”, bën të ditur gazeta.

“Noje Cirher cajtung” shton se vitin e kaluar, Maqedonia e Veriut ra në vendin e 111-të në renditjen e Transparensi Interneshënëll, që është nota më e keqe që ka marrë ndonjëherë vendi në këtë fushë.

“Përveç kësaj, këtu është edhe keqmenaxhimi gjatë pandemisë: vaksinimi filloi vonë meqë vendi, ndryshe nga fqinji i tij më i madh, Serbia, mbështetej tërësisht në BE-në dhe i mori vaksinat me vonesë”, thuhet në gazetën.

Autori i tekstit, Volker Pabst, citon fjalët e analistes Vlora Reçica nga qendra hulumtuese e Institutit për Demokraci në Shkup, e cila thotë se shpresa që ishte e lidhur me zgjedhjen e Zaevit para katër viteve është avulluar. Kjo, thotë ajo, mund të shihet në pjesëmarrjen e ulët në zgjedhjet lokale, që është një shenjë e keqe për reformat që ende nevojiten – pa marrë parasysh se kush do ta sundojë Maqedoninë e Veriut në të ardhmen.

“Tagescajtung”-u i Berlinit në komentimin e ngjarjeve në Maqedoninë e Veriut nga gazetari i tyre Erih Ratfelder, shprehet se është “e ndershme të thuhet se dikush që u përpoq të modernizojë, demokratizojë dhe reformojë vendin e tij dha dorëheqjen të dielën”.

“Socialdemokrati Zoran Zaev është një nga politikanët e paktë ballkanikë që ka orientuar seriozisht vendin e tij në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Por, në këmbim, ai mori shumë pak mbështetje. Zaevi nuk ia doli, popullariteti i tij po binte. Përveç kësaj, paraardhësi i tij Gruevski u përpoq të ndikojë në fushatën e zgjedhjeve lokale, me shuma më të mëdha parash dhe me mbështetje nga Hungaria. Socialdemokratët humbën në zgjedhjet, ndërsa Zaev dha dorëheqje. Por kush e njeh e di që ai do të vazhdojë të luftojë, konstaton gazetari gjerman./Telegrafi/