Dorëheqjet e kushtëzuara në BDI, ekspertët: Nuk njihen nga Kushtetuta, ligji dhe Rregullorja e Kuvendit

Juristët vlerësojnë se lloji i dorëheqjeve të kushtëzuara ashtu siç i ofruan ministrat dhe zëvendësministrat e BDI-së nuk njihen nga Kushtetuta, Ligji për Qeverinë dhe as Rregullorja për punën e Kuvendit, shkruan Alsat.

Marketing

Juristi Emir Kurtishi thotë se pushteti aq shumë e ka keqpërdorur dorëheqjen si akt moral sa që ka shpikur edhe nocione të reja mbi të.

“Shpikjet e tilla në vendin tonë duket se nuk kanë fund. Çdo ditë shpikin nocione të reja mbi dorëheqjet, nga të ofruara tani në dorëheqje të kushtëzuara. Sa i përket Kushtetutës së vendit tonë, një nocion i tillë nuk njihet ose nuk ekziston. Madje një gjë të tillë nuk e njeh as Ligji mbi Qeverinë dhe as Rregullorja e Kuvendit”, tha Emir Kurtishi, Jurist.

Kurtishi thotë se në rastin konkret 1/3 e Qeverisë ka ofruar dorëheqje, që nënkupton se në dorëheqje duhet të shkon e gjithë Qeveria. Sipas tij, mos procedimi i tyre në Kuvend nënkupton përgjegjësi serioze për kryeministrin.

“Me dorëheqjet nuk bëhet shaka, o jep dorëheqje o nuk jep dorëheqje. Pavarësisht emërtimit se është e ofruar apo e kushtëzuar, dorëheqja është dorëheqje. Nëse 1/3 e anëtarëve të Qeverisë japin dorëheqje, atëherë bie Qeveria që do të thotë se duhet të votohet si për Qeverinë e re. Nëse këto dorëheqje nuk procedohen në Kuvend, atëherë përgjegjësia është e kryeministrit”, u shpreh Kurtishi.

Ditë më parë, Bujar Osmani, Kreshnik Bekteshi, Fatmir Besimi, Artan Grubi dhe Jeton Shaqiri ofruan dorëheqje të kushtëzuar deri tek kryeministrit të cilat sipas tyre, do të hynin në fuqi në ditën kur opozita do të votonte për miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Dorëheqje ofruan edhe zëvendësministrat e BDI-së dhe funksionarët e tjerë në kuadër të organit ekzekutiv./ Alsat.mk