Dorëhiqet deputeti socialist në Shqipëri,djali dhe vëllezërit e tij rrahën rëndë dy persona

Policia e shtetit në Shqipëri ndaloi në Fushë-Krujë 4 persona dhe shpalli në kërkim disa të tjerë, të dyshuar si autorë të dhunimit fizik të dy shtetasve në një lokal të zonës.

Marketing

Videot e kësaj dhune, bashkë me portretet, armët dhe shkopinjtë e drunjta të autorëve mbushën rrjetet sociale dhe mediat e vendit, raporton “Zëri i Amerikës”.

Në to shihen djali i deputetit socialist, Rrahman Rraja si dhe dy vëllezërit e tij, bashkë me të paktën 5 persona të tjerë, teksa godasin me sende të forta dy shtetas në një kafene.

Deputeti i Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, dorëzoi sot mandatin e deputetit dhe u tërhoq nga jeta politike, për shkak se djali dhe dy vëllezërit e tij janë bashkautorë të ngjarjes dhe midis personave që janë shpallur në kërkim nga policia.

Deputeti Rraja u ka kërkuar ndjesë publike dy viktimave të dhunës së shkaktuar prej familjarëve të tij, përmes një njoftimi, dhe i ka bërë thirrje djalit të arratisur, që të dorëzohet para drejtësisë.

Ai tha se ndjehej i turpëruar nga veprimet e të birit, se kishte dështuar si prind, ndërkohë që banorët e krahinës e kishin zgjedhur kryetar komune më herët si dhe deputet të tyre në dy mandate.

Deklaratën e deputetit Rraja e shpërndau zyra e Partisë Socialiste, ndërsa më pas u mësua se grupi parlamentar socialist do të mblidhet të hënën.

Dhunën e grupit të kryesuar nga familjarët e deputetit Rraja ndaj dy shtetasve të pambrojtur e dënoi edhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

Duke iu referuar dhunës së familjarëve të kolegut të grupit të tij parlamentar, ministri Çuçi theksoi se pamjet e dhunës në Krujë janë të rënda e të papranueshme, dhe se askush nuk është mbi ligjin dhe s’mund t’u shpëtojë përgjegjësive në asnjë rrethanë.

Ministri Çuçi ishte sot për afro dy orë në zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, prej nga dolën pa ndonjë deklaratë. Ndërsa pak kohë më pas erdhi edhe dorëheqja e deputetit socialist Rraja.

Të arrestuarit dhe ata që janë në kërkim akuzohen për plagosje të rëndë me dashje, armëmbajtje mbajtje pa leje dhe prodhim armësh, moskallëzim krimi dhe pengim hetimesh.

Për arrestimet e fundit u angazhuan një numër i madh forcash policore për shkak të numrit të madh të autorëve në ndjekje, si dhe prej terrenit të vështirë, ku shpesh fshihen një numër i konsiderueshëm personash me të dhëna kriminale.

Viktimat e dhunës, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë shëndetësore, janë pjesëtarë të familjes Maja, ndërsa shumica e autorëve të dhunës i përkasin familjes Rraja, por konflikti është më i gjerë me banorët e zonës për shkak të një gurore.

Ata janë ankuar se punimet dhe shpërthimet në gurore kryen pa standarde profesionale dhe u rrezikojnë jetën dhe u dëmtojnë shtëpitë e zonës.

Por ankesat dhe denoncimet e banorëve kanë sjellë edhe reagimin e dhunshëm të grupit të kryesuar nga familjarët e deputetit socialist.