Dorëhiqet ministri estonez pas skandalit me municionet për Ukrainën
Ministri estonez Mbrojtjes, Hanno Pevkur, paraqiti dorëheqjen të mërkurën në mbrëmje, duke marrë përgjegjësi politike pas ankesave nga autoritetet kombëtare të auditimit në lidhje me parregullsitë në shpenzimet e mbrojtjes, si dhe një rast që përfshinte municione për Ukrainën që nuk u dorëzuan kurrë.
Politikani i qendrës së djathtë, i cili ka qenë në krye të Ministrisë së Mbrojtjes që nga viti 2022 , njoftoi largimin e tij një ditë pas zbulimit se ministria i dha një kontratë prej 70 milionë eurosh për furnizimin me municione një kompanie pa histori të mëparshme të shitjes së materialit.
Rasti ka të bëjë me një kontratë të dhënë në vitin 2024 për kompaninë italiane Datasel SRL, e cila është në pronësi të kompanisë indiane Neco Defence Munitions, me financim nga Fondi Evropian i Paqes i BE-së. Megjithatë, predhat nuk u dorëzuan , dhe Estonia më pas iu drejtua Gjykatës Evropiane të Arbitrazhit.
“Siguria e Estonisë nuk është punë e një personi. Është përgjegjësia jonë e përbashkët”, tha Pevkur në një postim në rrjetet sociale, duke njoftuar se po merrte përgjegjësinë politike për sektorin e mbrojtjes dhe po ia dorëzonte pozicionin ministror kryeministrit.
Dorëheqja e Pevkur erdhi pas presionit në rritje nga zyra kombëtare e auditimit të Estonisë. Muajin e kaluar, organi mbikëqyrës përmendi “probleme serioze” në menaxhimin e fondeve dhe kontabilitetin e aseteve nga ministria, pas kritikave të ngjashme një vit më parë.
Vetë Pevkur deklaroi se nuk e kishte lexuar kontratën specifike , duke pretenduar se ministria zakonisht nuk përfshihet në detajet e procedurave të prokurimit. /
Aktuale.mk
