I dëshpëruar dhe me një fytyrë ku nuk ka asnjë shenjë gëzimi, Sebastian Vettel ka folur për mediat pas garës së Japonisë në Formula 1, ku ai u rendit në vendin e gjashtë, një rezultat zhgënjyes për të dhe Ferrarin. Tashmë për të fitimi i titullit kampion me Ferrarin po kthehet në një tabu, pasi piloti gjerman është 67 pikë pas Hamilton në renditjen e përgjithshme. Britaniku i Mercedes bëri një garë të mirë, e komandoi atë dhe e meritoi suksesin.
Këtë dominon të Hamilton e pranon edhe vetë Vettel, që thotë: “Lewis e meritoi, bëri një garë të mirë, e komandoi atë dhe fitoi. Unë u përpoqa të jepja maksimumin, e nisa mirë garën, por kontakti me Verstappen, që nuk më la shumë hapësira për ta parakaluar, shkatërroi gjithçka, pasi makina pësoi dëmtime”, thotë Vettel.
“Që në start i dhashë makinës në maksimum për ta fituar garën, por nuk mjaftoi. Atmosfera tashmë nuk është aspak e mirë, pasi 67 pikë janë shumë. Punojmë gjithë vitin dhe kur nuk vijnë rezultatet e dëshiruara është e vështirë për të gjithë. Nuk di ç’të them më, por ky nuk ishte rezultati i drejtë për ne, meritonim më shumë”, tha Vettel.