Dortmund mposhtet në “Borussia Park”

Rikthimi i hidhur në “Borussia Park” për Marco Rose, pasi Dortmundi i tij u mposht me rezultatin minimal 1-0 nga M’Gladbach dhe regjistroi humbjen e dytë sezonale, duke mbetur plot 4 pikë mbrapa Bayernit kryesues.

Marketing

Tekniku 45-vjeçar u largua nga Borussia Monchengladbach këtë verë, për të marrë drejtimin e verdhezinjve të Dortmund, megjithatë në përballjen e parë me të shkuarën nuk ia doli të festojë.

Sfida ishte mjaft e luftuar nga të dy ekipet, që kujdeseshin më shumë për të mbyllur hapësirat, sesa për të kërkuar golin, ndërsa në minutën e 37’ ishte 24-vjeçari zviceran Denis Zakaria që dërgoi topin në rrjetë dhe u dha avantazhin vendasve.

Vetëm tre minuta më vonë, gjithçka u bë më e lehtë për vendasit, që përveç avantazhit të një goli, fituan edhe epërsinë numerike, pasi Dahoud u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe la Borussian e Dortmundit me 10 futbollistë.

Trajneri Rose provoi gjithçka për të shmangur humbjen në “Borussia Park”, megjithatë me një futbollist më pak ishte thuajse e pamundur, teksa vlen të theksohet se deri në fund të ndeshjes, verdhezinjtë nuk e goditën asnjëherë kuadratin e portës së Jan Sommer.

Pas javës së 6, Bundesliga kryesohet nga Bayerni i Mynihut me 16 pikë, i ndjekur nga Leverkusen e Wolfsburg me 13 dhe Borussia Dortmund në vendin e katërt me 12 pikë, ndërsa M’gladbach ngjitet në kuotën e 7 pikëve me fitoren e sotme, që është e dyta sezonale.