Në një atmosferë madhështore, në Sheshin “Iliria”, në Tetovë, Bashkimi Demokratik për Integrim, me një prani të jashtëzakonshme të qytetarëve, simpatizantëve dhe veprimtarëve të BDI-së, ku ishte i pranishëm edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti dhe kandidatët e kësaj partie nga zonat zgjedhore, zhvilluan takimin qendror elektoral.
Dr. Florin Besimi, mjeku i mirënjohur, kandidat i Listës në Zonën e 6-të, një nga kuadrat më të mirë shëndetësor në nivel vendi, menaxher i jashtëzakonshëm dhe atdhetar i vendosur, foli në fjalën e tij programatike, rreth fitores së BDI-së.
“Kjo është Tetova, ky është Bashkimi Demokratik për Integrim. Kjo është forca që tash 20 vite po bart mbi shpatulla misionin e madh të historisë që këtë shtet ta bëj vend të qytetarëve të barabartë”, theksoi në fillim të fjalimit të tij, dr. Florin Besimi, duke vijuar se “kjo është forca që për dy dekada shënon vetëm fitore, sepse mbështetjen e ka te populli, te qytetari, te rinia shqiptare.
Ai më tej ka potencuar se BDI, forcën e merr nga drejtësia e përcaktimit, nga përkushtimi i brezave të tërë, nga vendosmëria e realizimit të synimeve dhe idealeve për ta bërë këtë vend të denjë për të jetuar, të të barabartëve në mesin e të barabartëve, atraktiv për të investuar dhe pjesë të familjes evropiane.
Dr. Florin Besimi ka theksuar se është krenar dhe i nderuar që është pjesë e një strukture e cila që nga themelimi di vetëm për fitore. Kjo nuk ndodh vetvetiu, nuk është diçka që vjen rastësisht.
BDI në të gjitha mandatet e veta ka realizuar germë për germë, ka përmbushur çdo zotim, e ka përmbyllur thuajse të gjitha temat që sot si të drejta të realizuara mund të duken proverbiale, por vetëm para pak vitesh ishin vetëm ëndërr dhe për shumëkënd dukeshin gati-gati të pa arritshme, ka cekur dr. Florin Besimi.