Dr.Sc. Atilla Rexhepi demanton shpifjet që disa media bënë ndaj figurës së tij

Reagim ndaj dezinformatave dhe spekulimeve tendencioze keqdashëse, me prapavijë politike

Marketing

Të nderuar Miq, Studentë dhe Ju Opinioni i gjerë.
Kohëve të fundit, opinioni i gjerë publik, me të madhe po kontaminohet me shpifje dhe dezinformata nga llojet e ndryshme, për të denigruar personalitete, grupacione dhe subjekte të tëra.

Në mungesë të mekanizmave të fuqizuara që do vendosnin një prerje të thuktë në mes të asaj që është informatë e saktë (e verifikuar) dhe asaj që është gënjeshtër e kulluar, opinioni i gjerë (pothuajse çdo ditë) po ballafaqohet me shpifje, trillime, dezinformata, sulme, kërcënime e çka jo tjetër, që po krijojnë shqetësime të mëdha ndër njerëz, familjarë, miq, subjekte dhe në popull si tërësi.

Pothuajse në të shumtën e rasteve, liferimet e (dez)informatave të tilla janë me qëllim krejtësisht të programuar dhe të caktuar. Veprimi i tillë, i cili fillon me moton “gjuaje gurin, mshife dorën”, është një mision që (veçanërisht) shqiptarëve i ka kushtuar shumë, në çdo drejtim, përgjatë rrugëtimit të Tij për të qenë ZOT I VETVETES.

Një nga të tillat shpifje dhe dezinformata është edhe publikimi nëpër mediume i lajmit krejtësisht të rremë që ka të bëjë me pajisjen me diplomë doktorati të Atilla Rexhepit.
Në interes të informimit të saktë të opinionit të gjërë dhe hudhjen në tokë të dezinformatave ugurzeze të qarqeve që nuk ia dojnë të mirën zhvillimeve të proceseve mbarëvajtëse kombëtare, si individ direkt i tanguar me rastin, e shofë të rrugës të shtroj këtë
D E M A N T P U B L I K

Unë, Atilla Jusuf Rexhepi kam fituar gradën shkencore “Doktor” në mjekësi klinike, i pajisur me Diplomë Doktorate të lëshuar nga Republika e Shqipërisë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Universiteti i Tiranës, të nënshkruar nga ana e Dekanit, Prof.Dr. Petrit Bara dhe Rektori, Prof. Dr. Dhori Kule, më 03.6.2013.

Dhënia e Diplomës së Doktoratit është bazuar në Ligjin nr.9741, të datës 21.05.2007, të Ligjit për arsim të lartë të Republikës së Shqipërisë, dhe vendimeve të organeve kompetente të autorizuara në Shqipëri (VKM) për hapjen e programeve të studimeve të doktoraturë në institucionet publike të arsimit të lartë dhe përcaktimin e kushteve që duhet të plotësojë studenti për marrjen e diplomës për gradën shkencore “Doktor”.

Grade shkencore “Doktor” në mjekësi klinike, e ndarë në emrin e Atilla Jusuf Rexhepi, është dhënë nga ana e Jurisë profesionale të ngritur nga ana e vetë Universitetit të Tiranës, me Vendim jurie nr.03 të datës 05.12.2012.

Çdo kush që ka njohuri elementare akademike, mbi mbarëvajtjen e procesit për nxënien e thirrjeve akademike universitare, e ka të qartë se marrja e çdo titulli shkencor universitar i nënshtrohet një varg procedurash administrative ligjore, procedura ato që shoshiten nga një zinxhir administratorësh, komisionesh, përgjegjës, drejtues dhe udhëheqës institucionesh të arsimit të lartë.

Ata që firmosin përfundimisht një diplomë doktorati (dekani dhe rektori i universitetit), para se të rrumbullaksojnë një akt të tillë, duhet para vetes të kenë të kompletuar dosjen, me gjitha dokumentet përcjellëse, të verifikuar paraprakisht nga të gjithë përbërësit e këtij procesi.

Filtri tjetër paraprak i cili verifikon, përskaj ecurisë akademike të procesit të nxënies të gradës doktor i shkencave dhe respektimin e direktivave ligjore, është edhe Ministria e arsimit dhe shkencës e Republikës së Shqipërisë.

Kjo Ministri, përmes Komisionit të vlerësimit të titujve akademik në Ministrinë e arsimit dhe shkencave, duke siguruar numrin e matrikullimit (UTFINNN00043), me vendim nr.03, të datës 05.12.2012) të jurisë së ngritur pranë Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, gradën shkencore “Doktor” për z. Atilla Rexhepi, e regjistron në regjistrin përkatës të Ministrisë së arsimit dhe shkencës, me nr. rendor 599 (shkresa nr. 1030/1, prot. datë 04/03/2013 bashkëngjitur), që njëherit konfirmon se janë respektuar të gjitha kushtet dhe procedurat për marrjen e diplomës për gradën shkencore “Doktor”.

Nga ana tjetër, me rëndësi është të theksohet se, Ministria e arsimit dhe shkencës e Republikës së Maqedonisë ka sjell Vendim nr.14-9388/2 të 17.06.2013 për njohjen e kualifikimi të lartë, Diplomën e z. Atilla Rexhepi të fituar në Universitetin e Tiranës, Republika e Shqipërisë, duke ia pranuar ciklin e tretë të studimeve të doktoraturës dhe nxënien e thirrje shkencore Doktor i shkencave të mjeksisë, edhe brenda territorit të Maqedonisë.

Mbi bazë të Ligjit të arsimit të lartë të Republikës së Maqedonisë, përgjatë procesit të nostrifikimit të diplomave të marra në institucionet e arsimit të larta jashta territorit të Republikës së Maqedonisë, nga shteti ku fitohet diploma (në rastin konkret, Shqipëria), kërkohen një varg dokumentesh shtesë (a është i akredituar programi studimor dhe vetë institucioni, disertacioni i doktoraturës, certifikata e notave, kohëzgjatja e studimeve,…).

Nostrifikimi i diplomave të tilla në Maqedoni bëhet nga ana e Komisionit profesional universitar të ngritur nga ana e Ministrisë për arsim dhe shkencë e Republikës së Maqedonisë i cili njëherit është i autorizuar të bëj edhe ekuivalentimin e thirrjes shkencore dhe kontrollimin e gjithë dokumentacionit përcjellës.

Të gjitha faktet e mësipërme u shtruan që të mbyllen zërat e këqinj që kanë vetëm një mision të caktuar: NJOLLOSJEN E PUNËS, KONTRIBUTIT dhe PËRKUSHTIMIT tim profesional dhe njerëzor. Ju qoftë për “nder”.
Dr.sc. Atilla Rexhepi

Marketing