Drejtori Asani ia prezantoi punën e ITSHKSH ambasadores izraelite dhe ministrit të arsimit

Në kuadër të bashkëpunimit të frytshëm me
Izraelin, të enjten ITSHKSH e vizitoi ambasadorja e këtij shteti në RMV,
shkëlqesia e saj, zonj. Simona Frankel, e shoqëruar nga konsulli i
nderit i shtetit të Izraelit z.Gradimir Shumkovski. Pjesë e kësaj vizite
ishte edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Jeton Shaqiri.

Marketing

Drejtori i ITSHKSH, prof.dr. Skender Asani i shoqëruar nga udhëheqësja e
Departamentit për edukimi dhe studimin e Holokaustit në ITSHKSH, Maja
Susha, pasi faleminderoi mysafirët e çmuar për vizitën, foli për punën e
deritanishme të ITSHKSH dhe në pika të shkurtëra shpalosi disa nga
planet në të ardhmen. Me këtë rast ai foli për domosdonë e thellimit të
mëtejmë të hulumtimeve mbi temën e Holokaustit, edhe për faktin se
ITSHKSH, në bashkëpunim edhe me institucionet relevante shtetërore,
përfshi Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, është lider në rajon dhe më
gjerë sa i përket kësaj çështjeje.

Ambasadorja Frankel theksoi se dy shtetet, Maqedonia e Veriut dhe
Izraeli, janë shtete miqësore. Në këtë drejtim, ajo prezantoi projektin
e shtetit të Izraelit për një program arsimor për teknologjinë më të
avancuar kompjuterike, i cili si synim do të ketë trajnimin e
inxhinierëve për t’i shërbyer qeverisë në fushën e sigurisë së shtetit,
por njëkohësisht edhe përmirësimet në arsim.

Mbi këtë temë foli edhe ministri Shaqiri i cili tha se do të bëhen
përpjekje serioze që ky projekt i rëndësishëm të realizohet, në mënyrë
që ai të ndihmojë në përmirësimin e programeve ekzistuese mësimore dhe
studimore në Maqedoninë e Veriut, duke marrë parasysh edhe faktin, siç
tha ai, se Izraeli disponon me teknologjinë më të fundit në sferën
kompjuterike. Me këtë rast pritet që në vjeshtë ministri Shaqiri së
bashku me drejtorin Asani të realizojnë një vizitë pune në Izrael.

ITSHKSH në periudhën e ardhshme, siç u tha edhe në këtë takim, pritet të
rrumbullaksoj disa nga planet e parapara, si në aspektin e ngritjes së
cilësisë së punës hulumtuese-shkencore, ashtu edhe në modernizimin e
infrastrukturës së brendshme.