Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela ka vizituar Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës

Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, Ylber Sela, bashkë me
përgjegjësin e sektorit të përkthimit dhe të lekturimit në këtë
institucion, Ahmet Selmani, dje zhvilloi një takim zyrtar në Akademinë e
Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku u prit nga kryetari i saj,
akademiku Mehmet Kraja, si dhe akademiku i mirënjohur Rexhep Ismajli.
Gjatë takimit në fjalë, drejtori Y. Sela i njoftoi hollësisht nikoqirët
për statusin, rolin dhe punën e AZGJ-së, duke u përqëndruar veçmas në
aktivitetet e gjertanishme në aspektin e zbatimit të gjuhës shqipe në
institucionet shtetërore, si dhe në atë të sensibilizimit dhe udhëzimit
të qytetarëve lidhur me të drejtat gjuhësore në Republikën e Maqedonisë
së Veriut. Po ashtu, ai shprehu interesim dhe u bëri ftesë pjesëtarëve
të ASHAK-së për të marrë pjesë në aktivitetet shkencore që i organizon
AZGJ-ja në raste të ndryshme, siç është Dita e Përkthimit dhe Dita
Europiane e Gjuhëve.
Kryeakademiku Mehmet Kraja, duke u falënderuar për këtë vizitë zyrtare
të AZGJ-së, u interesua në veçanti për Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve
dhe zbatimin e tij praktik në RMV, për kontaktet e AZGJ-së me
institucionet simotra në vendet e tjera, si dhe për shumë çështje të
tjera që kanë të bëjnë me këtë institucion. Me këtë rast ai shprehu
gatishmëri për të ndihmuar ose për të qenë të pranishëm në aktivitetet e
AZGJ-së, duke kërkuar një ofertë konkrete se çfarë mund të bëjë ASHAK-ja
në këtë aspekt.
Po ashtu, edhe akademiku Rexhep Ismajli shprehu gatishmëri të plotë për
të ndihmuar AZGJ-në nëpërmjet pjesëmarrjes së tij në konferencat
shkencore. Ai foli për pozitën e disa gjuhëve në vende të ndryshme të
botës si në Spanjë, Belgjikë, Zvicër etj., duke e theksuar statusin dhe
trajtimin e tyre nga shtetet përkatëse, me çka modeli i tyre do të ishte
i lakmueshëm dhe i natyrshëm edhe për gjuhën shqipe në Republikën e
Maqedonisë së Veriut, si një gjuhë vendëse. Ai vuri në dukje se tani
është koha kur gjërat duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore, me punë dhe
angazhim konkret, pa e politizuar dhe pa e rrezikuar askënd. Në këtë
kontekst, ai theksoi se ka një avancim zyrtar të shqipes në RMV, por që
gjithçka duhet të shihet si një proces i vazhdueshëm për të ecur edhe më
tej përpara.
Në fund të këtij takimi, nikoqirët i dhuruan edhe disa kopje të botimeve
të ASHAK-së për bibliotekën e AZGJ-së.

Marketing