Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela – në takim pune me ministren Mila Carovska

Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, Ylber Sela sot realizoi një takim pune me ministren e Arsimit dhe të Shkencës të RMV-së, Mila Carovska. Me këtë rast drejtori Y. Sela theksoi se qëllimi i këtij takimi është që së bashku të bëjmë diçka në aspektin e ndërtimit të shoqërisë sonë multietnike. Pas miratimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, shtoi ai në vazhdim, në RMV është krijuar një realitet tjetë. Në sistemin arsimor gjuha shqipe duhet të bëhet obligative për nxënësit maqedonas dhe gjuha maqedonase për nxënësit shqiptar. Duhet të krijohet një vetëdije dhe disponim i ri. Por kjo varet shumë nga njeriu i parë që e drejton një institucion. Si shembull i mirë duhet të na shërbejë përvoja e Bolzanos, një qytet shumëgjuhësh në Itali, ku funksionojnë në mënyrë të shkëlqyer tri gjuhë zyrtare, si dhe në disa vende të tjera të Bashkimit Europian.

Marketing

Për sa u përket të dy institucioneve, vuri në dukje ai, ne mund të bëjmë shumë gjëra të përbashkëta, bie fjala shënimin e Ditës Europiane të Gjuhëve në muajin shtator, ku bashkë me ne mund të përfshihet edhe Këshilli i Europës. Po ashtu, me Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës mund të organizojmë debate për librat shkollorë, ku ne gjithsesi mund ta japim kontributin tonë. Po ashtu, drejtori Sela i propozoi ministres Carovska që në vitin e ardhshëm shkollor akademik të ndahen bursa për studentët e katedrave të përkthimit dhe interpretimit për universitetet tona, të cilët pastaj do të përfshiheshin në institucionet shtetërore për nevojat e tyre në fushën e përkthimit.

Ne u japim mbështetje të plotë në aspektin e zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, theksoi në fund Ylber Sela, veçmas për sa u përket formularëve, dokumenteve dhe akteve zyrtare të ministrisë, për të cilat AZGJ-ja ka detyrë ligjore që t’i lekturojë ato.

Për të gjitha këto ide dhe propozime, ministrja Mila Carovska shprehu gatishmëri të plotë për t’i realizuar bashkërisht, edhe shënimin e Ditës Europiane të Gjuhëve, edhe ndarjen e bursave për studentët, edhe shumë gjëra të tjera etj.

Takimi u mbyll duke u zotuar që këto gjëra të konkretizohen dhe të realizohen.

Marketing